Bllokohen shuma monetare në Rinas – Policia sekuestroi 84000 Dollarë dhe 3500 Euro të padeklaruara

Bllokohen 84000 Dollarë dhe një sasi prej 3500 Euro nga policia kufitare e Rinasit.

Sipas policisë së shtetit, Shërbimet e Policisë Kufitare gjatë përpunimit të pasagjerëve të linjës ajrore me itinerar “Tiranë-Stamboll-Shangai-Kinë”, përzgjodhi për kontroll, pasi kishte kaluar zonën e kontrollit doganor shtetasin A.D., ku  gjatë kontrollit ju gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi prej 84000$ USD amerikanë dhe një sasi prej 3500 Euro.

Këtë shumë monetare shtetasi A. D nuk e kishte deklaruar në zyrën doganore në mënyrë vullnetare.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore shtetasi A.D., 33 vjeç, banues në Tiranë është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “mos deklarim në kufi i të hollave ose sendeve me vlerë”.

Materialet ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.

Efektivat e Policisë Kufitare Rinas kohët e fundit kanë shtuar kontrollet për parandalimin e rasteve të shkeljeve të ligjit, në hyrje dhe në dalje me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të paligjshmërisë.