Vuçiç: Nuk pranojmë asnjë marrëveshje me Kosovën që është në dëm të Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të premten herët në mëngjes është takuar me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Beograd, Denis Keefe, me të cilin kanë diskutuar rreth zgjidhjes së problemit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Siç shkruan agjencia e lajmeve ‘Tanjug’, Vuçiç ka thënë se “Serbia nuk do të pranojë asnjë marrëveshje me Kosovën e cila do të ishte në dëm të Serbisë dhe të popullit serb”.

Vuçiç ndërkohë e ka informuar ambasadorin Keefe edhe për ecurinë e dialogut ndërmjet dyja vendeve në Bruksel.

Dje Vuçiç kishte biseduar në telefon me ndihmëssekretarin amerikan, Wess Mitchel, rreth çështjes së zgjidhjes së problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por nuk e kishte përmendur fare idenë e shkëmbimit të territoreve.

Kjo mbase ka ardhur si rezultat i asaj që Vuçiq e ka thënë, presionit politik nga opozita në Beograd si dhe gjithashtu edhe kishës ortodokse, të cilët kanë dalë kundër idesë për shkëmbim të territoreve. /Express