Trump, gati për tarifa të tjera – Pritet të godasë të gjithë mallrat e importit nga Kina

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump po përgatitet që të godasë Kinën me tarifa në 200 miliardë dollarë mallra të tjerë të importit javën e ardhshme, duke i dhënë vrull luftës tregtare.

Indeksi i titujve të kapitalit në SHBA, S&P 500 pësoi humbje dhe dollari, juani e interesat e borxhit amerikan ranë gjithashtu.

Trump ka premtuar gjatë fushatës së tij se do të ashpërsojë qëndrimin mbi tregtinë,  që sipas tij dëmton punëtorët amerikanë dhe favorizon konkurrentët e huaj.

Washingtoni i ka kërkuar Pekinit që të përmirësojë aksesin në treg, të mbrojë pronën intelektuale të kompanive amerikane, të ulë subvencionet në industri dhe të zerojë hendekun tregtar prej 375 miliardë dollarë.

Dy ekonomitë më të mëdha në botë kanë prezantuar tarifa ndaj 50 miliardë dollarë mallra për secilën.  Bisedimet për të reduktuar tensionet tregtare përfunduan javën e kaluar pa arritur në ndonjë dakordësi.

Tarifat e reja prej 25% do të ndikojnë produktet konsumatore përfshirë pajisjet shtëpiake, produktet teknologjike, biçikletat dhe veshjet.

Periudha e reagimit të publikut mbi këtë propozim pritet të përfundojë më datë 6 Shtator dhe Trump planifikon të vendosë tarifat pas kësaj date, sipas agjencisë mediatike Bloomberg.