Të piratosh një princ, një emir dhe një gazetar për të ndikuar tek një klient

Nga: David D. Kirkpatrick dhe Azam Ahmed (New York Times)

Sundimtarët e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë përdorur spyware izraelite për më shumë se një vit fshehurazi, duke i kthyer në pajisje përgjimi smartfonët e disidentëve në vend ose të rivalëve jashtë.
Sipas email-eve të zbuluara e të paraqitura këtë të enjte në dy padi kundër krijuesve të spyware-it grupit NSO me bazë në Izrael, kur zyrtarëve më të lartë të Emirateve iu ofrua një përditësim i kushtueshëm i teknologjisë spiunuese, ata deshën të siguroheshin se ai vërtet funksionon.
“A mundet kompania të regjistrojë fshehurazi telefonat e Emirit të Katarit (një rivali rajonal)? – pyetën Emiratasit? Po telefonin e një princi të fuqishëm saudit i cili ka drejtuar gardën kombëtare të Mbretërisë (Saudite)? Apo telefonin e redaktorit të një gazete arabe me qendër në Londër”?
Një përfaqësues i kompanisë iu përgjigj pas katër ditëve “Ju lutem kontrolloni dy regjistrimet e bashkangjitura”. Ishin përmbledhjet e dy regjistrimeve që kishte bërë kompania nga thirrjet e redaktorit, Abdulaziz Alkhamis, i cili konfirmoi këtë javë se ai i pati bërë ato thirrje dhe tha se nuk e dinte që ishte nën përgjim.
Veprimet e Grupit NSO janë tani në qendër të dy padive që akuzojnë kompaninë për pjesëmarrje aktive në spiunim të paligjshëm – pjesë e një përpjekjeje globale për tu përballur me garën në rritje të armëve në botën e Spyware-ve.
Ndërsa kompanitë private zhvillojnë dhe i shesin teknologji të përparuar përgjimi qeverive për dhjetëra milionë dollarë, grupet e të drejtave të njeriut thonë se mbikëqyrja e dobët mbi këtë praktikë çon në keqpërdorime të shfrenuara. Dhe asnjë kompani nuk është më e rëndësishme në këtë betejë sesa grupi NSO, një nga krijuesit më të njohur të spywareve që pushtojnë smartfonët.
Të dyja paditë, të depozituara një në Izrael dhe tjetra në Qipro, u bënë nga një qytetar katarian dhe disa gazetarë dhe aktivistë meksikanë të cilët ishin të gjithë të prekur nga spywaret e kompanisë.
Në Meksikë, grupi NSO ia ka shitur teknologjinë e përgjimit qeverisë, me kushtin e qartë që të përdoret vetëm kundër kriminelëve dhe terroristëve. Megjithatë, disa nga juristët më të shquar të të drejtave të njeriut në vend, gazetarë dhe aktivistë të tjerë kundër korrupsionit, janë vënë në shënjestër. Shumë prej tyre tani janë palë akuzuese në padi.
Qeveria e Panamasë gjithashtu bleu spyware-in, dhe presidenti i asaj kohe e përdori për të spiunuar rivalët dhe kritikët e tij politikë, siç tregojnë dokumentet e gjykatës në një rast atje.
Sa herë që është sfiduar, kompania (NSO) ka thënë se ajo thjesht ia shet teknologjinë qeverive, të cilat bien dakord ta përdorin atë ekskluzivisht kundër kriminelëve. Por më pas ato e përdorin atë vetë (në pavarësi nga kompania).
Paditë e reja përfshijnë dokumente dhe emaile të rrjedhura që i sfidojnë drejtpërsëdrejti pretendimet e përsëritura të kompanisë se nuk është përgjegjëse për ndonjë përgjim të paligjshëm të kryer nga qeveritë që blejnë spywaret e saj.
Në rastin e Emirateve të Bashkuara Arabe, paditë argumentojnë se një shoqërues i grupit NSO u përpoq të spiunonte zyrtarët e një qeverie të huaj – dhe regjistroi me sukses thirrjet e një gazetari – me kërkesë të klientëve të saj emiratas rreth katër vjet më parë.
Teknologjia funksionon duke dërguar mesazhe me tekst tek smartfoni i objektivit, duke shpresuar që personi të klikojë mbi të. Nëse përdoruesi e bën, spyware-i që njihet me emrin Pegasus, shkarkohet fshehurazi duke u mundësuar qeverive të monitorojnë telefonatat, emailet, kontaktet dhe potencialisht edhe bisedat ballë për ballë që kryhen pranë smartfonit.
Dokumentet rreth Emirateve të Bashkuara Arabe, tregojnë se një degë e grupit NSO sugjeroi në mënyrë specifike gjuhën që do të përdorej për mesazhet me tekst korruptues. Shumë prej tyre janë të përshtatura për Gjirin Persik me ftesa në dukje të padëmshme, si “Ramazani është afër – zbritje të pabesueshme” dhe “mbrojini gomat e makinave tuaja nga plasja prej temperaturave të larta”.
Dokumentet teknike të rrjedhura që përfshihen në padi, tregojnë gjithashtu se kompania i ka ndihmuar klientët e saj duke u transmetuar të dhëna të përfituara përmes përgjimit të përpunuar nëpërmjet një rrjeti kompjuterik.
“Ne përpiqemi që ligji të arrijë teknologjinë” dhe të tregojë se prodhuesit e spyware-it “janë bashkëpunëtorë në këto shkelje të privatësisë”, tha Alaa Mahajna, një avokat izraelit që ngriti padinë në bashkëpunim me Mazen Masri, një ligjërues i lëndës së ligjit në City University të Londrës.
Grupi NSO nuk pranoi t’i komentojë këto deklarata para shqyrtimit të padive. Edhe Ambasada e Emirateve në Uashington nuk iu përgjigj kërkesës për komente.
Pasi “The New York Times” shkruajti vitin e kaluar se avokatë të njohur meksikanë, gazetarë dhe aktivistë të fushatave kundër korrupsionit janë vënë në shënjestër nga spyware-ët e grupit NSO, qeveria meksikane njoftoi një hetim federal.
Por edhe pas më shumë se një vit më vonë, hetimi ka bërë pak përparim të dukshëm, kështu që gazetarët meksikanë dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut iu bashkuan padive për të zbuluar më shumë rreth programit përgjues të qeverisë.
Paditë gjithashtu hedhin dritë të re mbi intrigat politike ku përfshihen Izraeli dhe monarkitë e Gjirit Persik, të cilat gjithnjë e më shumë janë i janë kthyer përdorimit të përgjimeve si një armë e preferuar kundër njëri-tjetrit.
Emiratet e Bashkuara Arabe nuk e njohin Izraelin, por prapa skene të dy shtetet duket se kanë një aleancë në rritje. Për shkak se Izraeli i konsideron spyware-ët si armë, grupi NSO dhe bashkëpunëtorët e tij nuk mund t’ia shesin ato Emirateve pa miratim nga Ministria e Mbrojtjes së Izraelit.
Emaili i zbuluar dhe i paraqitur në padi tregon se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nënshkruar një kontratë me kompaninë për licencën e softuerit të përgjimit, që në fillim të gushtit 2013.
Një vit e gjysmë më vonë, një degë britanike e grupit NSO i kërkoi klientit të saj emiratas të siguronte një këst të gjashtë pagese prej 3 milion dollarësh sipas kontratës fillestare, duke sugjeruar një tarifë totale licencimi prej së paku 18 milionë dollarë gjatë asaj periudhe.
Një përditësim që u zhvillua vitin e ardhshëm, u shit nëpërmjet një dege tjetër me bazë në Qipro, me një kosto prej 11 milion dollarësh në katër këste, sipas faturave të rrjedhura.
Tensionet midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe fqinjit të tyre Katarit arritën nivelin e vlimit më 2013, gjatë luftës për pushtet në Egjipt. Katari iu bashkua lëvizjes së “Pranverës Arabe”. Pastaj Emiratet e Bashkuara Arabe mbështetën një grusht shteti ushtarak që i hodhi në burg islamistët që fituan zgjedhjet pas “pranverës arabe”.
Në hakmarrjen e përshkallëzuar, secila palë akuzoi tjetrën për spiunazh kibernetik. Piratët hynë në llogaritë e postës elektronike të dy kundërshtarëve të hapur të Katarit – Ambasadorit të Emirateve në Uashington Yousef Al Otaiba dhe Republikanit amerikan që bën biznes me Emiratet e Bashkuara Arabe Elliott Broidy.
Piratë të tjerë morën në dorë për pak kohë faqen e internetit të Agjencisë së Lajmeve të Katarit (QNA) për të postuar një raport të rremë të një fjalimi të padenjë mveshur Emirit (Tamim bin Hamad Al Thani) dhe më pas emaili u shpërthye mediatikisht për ta dëmtuar atë dhe Katarin. Aleatët e Katarit fajësuan emiratasit.
Mesazhet tregojnë se emiratasit kanë kërkuar që në fillim të vitit 2014, të interceptonin thirrjet telefonike të Emirit të Katarit.
Por lista e objektivave të Emirateve përfshinte gjithashtu edhe Arabinë Saudite. Në diskutimet me email për përditësimin e teknologjisë së grupit NSO, Emiratet kërkuan të përgjoheshin telefonatat e princit saudit, Mut’ab bin Abdullah, i cili konsiderohej në atë kohë një konkurrent potencial për fronin mbretëror.
Emiratet kanë qenë mbështetës aktivë të princit të kurorës Muhamed bin Selman (kundër princit rival Mut’ab). Vitin e kaluar, princi i kurorës e shkarkoi Mut’abin nga posti si ministër i Gardës Kombëtare dhe urdhëroi ndalimin e tij të përkohshëm nën akuzën për korrupsion.
Gjatë një intervistë telefonike, princi Mutab shprehu habinë e tij prej faktit që emiratasit kanë tentuar të regjistrojnë thirrjet e tij.
“Ata s’kanë nevojë të piratojnë telefonin tim”, tha ai. “Unë mund t’ua tregoj vetë atyre se ç’po bëj”.
Sipas emaileve, emiratasit kërkuan gjithashtu të interceptohen thirrjet telefonike të kryeministrit të Libanit, Saad Al Hariri.
Z. Hariri është akuzuar disa herë se nuk i është kundërvënë mjaftueshëm Hezbollahut, lëvizjes së fuqishme libaneze të mbështetur nga Irani. Vitin e kaluar, aleati i Emirateve të Bashkuara Arabe, Princi i kurorës saudit Muhamed, e ngujoi përkohësisht z. Hariri në Riad (kryeqyteti i Arabisë Saudite), duke e detyruar të shpallë dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit (të Libanit). Më vonë, ai e anuloi dorëheqjen dhe mbeti kryeministër.
Z. Alkhamis, i cili në vitin 2014 dha dorëheqjen si redaktor i gazetës Al Arab me qendër në Londër, e cilësoi përgjimin e telefonatave të tij si “shumë të çuditshme” por jo të papritur, pasi ai kishte botuar artikuj “sensitivë” në lidhje me politikën në Gjirin Persik.
Përdorimi i Spyware-ve të grupit NSO nga ana e Emirateve të Bashkuara Arabe doli në dritë për herë të parë në vitin 2016. Ahmed Mansoor, një avokat emiratas i të drejtave të njeriut, vërejti mesazhe me tekst të dyshimtë dhe demaskoi përpjekjet për piraterimin e iPhone-it të tij. Emiratet e Bashkuara Arabe e arrestuan atë një vit më pas me akuza dukshëm pa lidhje. Ai është ende edhe sot në burg.
Pas zbulimeve të zotit Mansoor, gjiganti Apple tha se kishte lëshuar një përditësim që përmbledh dobësitë e shfrytëzuara nga grupi NSO. Vetë NSO, gjatë një deklarate, u zotua të kryejë hetime por shtoi se “kompania nuk ka njohuri dhe nuk mund të konfirmojë rastet specifike”.
Por dokumentet e tjera të zbuluara më vonë, tregojnë se Emiratet e Bashkuara Arabe vazhduan licencimin dhe përdorimin e softuerit përgjues “Pegasus” edhe pas përditësimit të kryer nga Apple dhe zotimit të NSO për hetime.
Më 5 qershor 2017, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite ndërmorën një bllokadë ndaj Katarit në përpjekje për ta izoluar atë. Dhjetë ditë më vonë, doli një email i brendshëm i Emirateve, i cituar në padi, referuar 159 anëtarëve të familjes mbretërore të Katarit, zyrtarëve dhe personave të tjerë telefonat e të cilëve ishin vënë në shënjestër nga spyware-i i NSO. Emaili premtonte një raport bazuar në “atë që kemi gjetur vetëm nga 13 objektivat e parë”.
“Lartësia juaj, bazuar në instruksionet tuaja, kemi parë gjetjet nga targetimi i telefonit të Q”, shkruante një zyrtar emiratas i identifikuar në padi si asistent i princit Khalid bin Mohammed, kryetarit të agjencisë së inteligjencës së Emirateve dhe djalit të sunduesit de facto të Emirateve të Bashkuara Arabe, princit të kurorës Muhamed bin Zayed.
Këtë muaj, Amnesty International tha se një nga anëtarët e stafit të saj që punonin në Arabinë Saudite, kishte qenë në shënjestër të spyware-ve që duket se kanë lidhje me grupin NSO. Dhe sërish kompania u shfajësua se nuk mban asnjë përgjegjësi për përdorimin e spyware-ve të saj nga konsumatorët.
“Produkti ynë synon të përdoret ekskluzivisht për hetimin dhe parandalimin e krimit dhe terrorizmit”, tha kompania në një deklaratë për Amnesty, duke u zotuar të “hetonte çështjen dhe të merrte masat e duhura”.