Presidenti Meta pret ambasadorët e rinj të Holandës, Bullgarisë dhe Brazilit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta pranoi Letrat Kredenciale nga Ambasadori i ri i Republikës së Bullgarisë në vendin tonë, Momtchil Stoyanov Raytchevski.

Presidenti Meta vlerësoi lidhjet historike e kulturore si dhe marrëdhëniet shumë të mira e të bashkëpunimit midis dy vendeve.

Duke u ndalur në nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar, Presidenti Meta nënvizoi se, Bullgaria mbetet një partner tradicional dhe shumë i rëndësishëm ekonomik për Shqipërinë.

Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për vëmendjen e veçantë që Bullgaria i kushtoi Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor gjatë mbajtjes së fundmi të Presidencës së Bashkimit Evropian.

Po sot presidenti Ilir Meta, pranoi Letrat Kredenciale nga Ambasadorja e re e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në vendin tonë, zonja Guusje Korthals Altes.

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për vëmendjen që Holanda i kushton bashkëpunimit me Shqipërinë, veçanërisht në kuadër të agjendës evropiane dhe përmbushjes së prioriteteve kyçe.

Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta, shprehu vlerësimin për kontributin dhe mbështetjen nga Holanda të projekteve për promovimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe për funksionimin e shtetit të së drejtës.

Duke u ndalur tek marrëdhëniet dypalëshe, Presidenti Meta, përshëndeti interesin në rritje të kompanive të mëdha holandeze për të investuar në tregun shqiptar.

Presidenti Meta shprehu besimin se, ashtu si gjatë vitit të shkuar, Holanda do të vijojë të mbetet në vendet e para në listën e investitorëve të mëdhenj strategjikë në Shqipëri.

Gjithashtu, kreu i shtetit Ilir Meta, pranoi Letrat Kredenciale nga Ambasadori i ri i Republikës Federative të Brazilit në vendin tonë, zoti Francisco Carlos Ramalho de Carvalho Chagas.

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira e miqësore midis dy vendeve, që dy vendet kanë ndërtuar prej 6 dekadash.

Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta vlerësoi se këto marrëdhënie janë intensifikuar më shumë, si në nivel dypalësh ashtu edhe në atë shumëpalësh, veçanërisht pas hapjes së ambasadave në kryeqytetet respektive të të dy vendeve.

Duke u ndalur në mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar, Presidenti Meta, nënvizoi se mundësitë janë të shumta.

Nuk mjafton vetëm fakti se Brazili është partneri i parë tregtar ndër vendet e Amerikës Latine, por ato duhet të rriten e intensifikohen më shumë, në të gjitha fushat – theksoi Presidenti Meta.