Po largohej nga Rinasi me 84 mijë dollarë dhe mijëra euro, ndalohet i riu

Policia Kufitare vijon me kontrollet e përforcuara në pikat kufitare në vend. Një prej objekteve të kontrolleve të shumta është evidentimi i personave që qarkullojnë me shuma të mëdha parash të padeklaruara.

Uniformat blu ndaluan sot një person që po tentonte të largohej nga vendi me një sasi të madhe parash.

Gjatë kontrollit që iu nënshtrua, shtetasit me iniciale A.D., 33-vjeç iu gjetën 84 mijë dollarë dhe një sasi prej 3500 eurosh.

Por si u zbulua ky shtetas?

Policia Kufitare Rinas, gjatë përpunimit të pasagjerëve të linjës ajrore me itinerar “Tiranë – Stamboll – Shangai- Kinë”, përzgjodhi për kontroll, pasi kishte kaluar zonën e kontrollit doganor  shtetasin A.D.. Gjatë kontrollit ju gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale valuta, shumë të cilën ky shtetas nuk e kishte deklaruar në zyrën doganore në mënyrë vullnetare.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore shtetasi A.D., 33 vjeç, banues në Tiranë është proceduar  në gjendje të lirë për veprën penale ”Mos deklarim në kufi i të hollave ose sendeve me vlerë”.