Në banesën e sulmuar, flet motra e gazetares Lala

Një ditë pas të shtënave me armë ndaj banesës së prindërve të gazetares Klodiana Lala, në Laknas, fshat pak kilometra larg Tiranës, vihet re një prani e madhe policësh si dhe oficerësh që po hetojnë ngjarjen. Në shtëpinë e gazetares Lala ka njerëz. Babai është i ulur në verandën e shtëpisë, me dy oficerë policie që e pyesin për detaje.

Antoneta Lala, motra e Klodianës, thotë se Klodiana ka marrë edhe herë të tjera kërcënime. ”Ky sulm nuk ka lidhje me babain apo me mua. Mendoj se ka lidhje me motrën sepse nuk është hera e parë që ndodh. Ka pasur edhe kërcënime të tjera”.

Ngjarja ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit të së enjtes. Po atë natë, shumë afër familjes Lala zhvillohej edhe një dasmë dhe të shtënat u mendua se vinin prej andej. ”Babai doli jashtë për të parë, por është errësirë këtu. Më vonë babai ka parë gëzhojat”, tregon motra e gazetares për ”TCH”.

Antoneta tregon se në shtëpi kishte shumë njerëz atë natë. ”Dy vajzat e Klodianës, babai, nëna dhe dy mysafirë. Nuk mendoj se kanë dashur të vrasin njeri, pasi po të donin, do të kishin vrarë”. Edhe banorët e fshatit shprehin shqetësim dhe pasiguri për jetën, pas kësaj ngjarjeje. ”Nuk është e sigurtë jeta kështu. Të të vijë tjetri me armë te dera, është e frikshme”.