Lejet e ndërtimit – Rriten me 65% në gjysmën e parë të vitit

Tregu ka një oreks në rritje për të ndërtuar. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, numri i lejeve të ndërtimit u rrit sërish në tremujorin e dytë vitit. Gjatë tre muajve u dhanë 270 leje ndërtimi, në rritje me 37% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në gjysmën e parë të vitit në Shqipëri janë dhënë gjithsej 491 leje ndërtimi, 65% më shumë krahasuar me 6-mujorin e parë 2017. Për të tretin vit radhazi, lejet e ndërtimit po rriten me ritme të shpejta. Kjo kohë përkon afërsisht me heqjen e moratoriumit për dhënien e lejeve të reja dhe me aplikimin e sistemit të lejeve online.

Bllokimi për shkak të moratoriumit, por edhe përmirësimi gradual i kërkesës së brendshme kanë shtuar nevojën për ndërtime të reja. Krahasuar me vitet e mëparshme, lejet e ndërtimit janë më pak të përqendruara në ndërtime rezidenciale.

Sipas Instat, dy të tretat e lejeve janë dhënë për ndërtime rezidenciale, ndërsa një e treta për ndërtime tregtare dhe industriale, çka dëshmon edhe vazhdimësinë e investimeve të larta të biznesit në pasuri të paluajtshme.

Në rritje të ndjeshme është edhe vlera e parashikuar e projekteve të lejeve. Vlera e përafërt e ndërtimeve për të cilat është miratuar leje është rreth 9.4 miliardë lekë, nga 7.5 miliardë lekë që kishte qenë në tremujorin e dytë të vitit të kaluar.

Edhe në tremujorin e dytë numri më i madhi lejeve të ndërtimit u dha në Tiranë, me 99 leje gjithsej, e ndjekur nga Durrësi me 38 leje dhe Fieri me 32 leje.