Gjykata Kushtetuese: Të ndëshkohen autorët e sulmit

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, dënon me forcë sulmin me armë kundër familjes së gazetares Klodiana Lala. Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, Gjykata inkurajon organet e hetimit të bëjnë të mundur zbulimin dhe ndëshkimin në një kohë sa më të shpejtë të autorëve të kësaj ngjarjeje të shëmtuar kriminale.

“Duke mbështetur gazetaren Klodiana Lala dhe median e pavarur në misionin e saj, në të njëjtën kohë inkurajon organet e hetimit të bëjnë të mundur zbulimin dhe ndëshkimin në një kohë sa më të shpejtë të autorëve të kësaj ngjarjeje të shëmtuar kriminale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ngjarja ndodhi në orët e para të ditës së djeshme, ndërsa mendohet se një person i vetëm ka qëlluar me kallashnikov mbi banesën e prindërve të gazetares Lala, duke lëshuar rreth 10 plumba, në muret, dyert e dritaret e banesës.