Aksidentet për faj të sinjalistikës, shoferëve dhe kalimtarëve

Shqipëria vijon të ketë një numër të madh jetësh të humbura nga aksidentet rrugore edhe pse në krahasim me vitin e kaluar ka një frenim të lehtë. Sipas të dhënave të INSTAT në shtatë-mujorin 2018, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 116, nga 127 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Por kush po i shkak aksidentet tragjike?

Mungesa e kulturës dhe sjelljes në rrugë nga të gjithë, si shoferet dhe këmbësoret, është një shkak i aksidenteve. “Nuk jemi të sigurt në të gjitha rrugët”, shprehet një qytetar. “Shoferët duhet të kenë më shumë respekt për jetën e njeriut”, thotë një tjetër. “Unë jam e para që nuk i respektoj”, tregohet e sinqertë një qytetare.

Sipas ekspertëve, policia “luan” me shifrat, pasi në të vërtet numri i aksidenteve nuk është ulur. “Frekuenca e numrit të aksidenteve në vendin tonë nuk është ulur, mund të jenë disa të vdekur më pak por ne shikojmë që ka kapërcime të mëdha nga njëri muaj në tjetrin, që do të thotë se s’ka një studim të plotë”, shprehet eksperti. Sipas Sulçes, ka disa vite që komiteti ndërministror për sigurinë rrugore nuk është mbledhur për të riparë strategjinë kombëtare 2011-2020.

Në aksin nacional, Bulqizë-Ura e Topojanit me një gjatësi 25 kilometra, në shumë vende mungon sinjalistika. Kjo por edhe shpejtësia e automjeteve në këtë segment rrugor kanë qenë shkaqet e shumë aksidente. E njëjta problematikë vërehet dhe në dy rrugët e tjera Bulqizë-Krastë dhe Bulqizë-Burrel, ku nuk kanë munguar aksidentet fatale me humbje jetësh. Drejtuesit e automjeteve shprehen të shqetësuar se përveç mungesës së sinjalistikës, në shumë rrugë nuk kanë mbajtëset anësore me sinjal fosforeshent. Kjo vështirëson drejtimin e mjetit sidomos natën.

Mungesa tabelave orientuese dhe sinjalistikës rrugore, vështirëson sidomos lëvizjen e turistëve në këto zona. Në mjaft raste është policia ajo që orienton turistët për në destinacionin e tyre. Një rrugë e cila është e vetmja që lidh Beratin me Skraparin dhe gjithë zonën e fshatrave ka pësuar dëmtime të mëdha. Drejtuesit thonë se lëvizja bëhet e vështirë dhe mjetet u janë prishur. Rruga e vetme që lidh Beratin me Poliçanin, Skraparin dhe gjithë zonën ka këto pamje. Ajo është dëmtuar rëndë. “Rruga është e keqe sa do prishen makinat, pale fshtarat, atje ku jemi ne thyhen kokat”.

Nga Berati deri në fshatin Vërtop rruga është prishur plotësisht. Asfalti është hequr nga punonjësit e mirëmbajtjes së rrugës dhe është hedhur në anë të saj. Pamjet tregojnë se shumë pjesë të kësaj rruge janë çarë dhe janë kthyer në burim aksidentesh. Janë me qindra mjete që qarkullojnë çdo ditë  dhe drejtuesit ankohen. “Me të keq ca të bëjmë, copë copë, as rrugë asgjë”. Një muaj më parë pikërisht këtu një turist u aksidentua, ndërsa udhëtonte me motor dhe shkak i aksidentit rezultoi gjendja e rrugës.

Si për ironi të fatit, tek mbikalimi i Rinasit, gjatë kohës kur konstatoheshin shkeljet, një makinë e Policisë Rrugore qëndronte anës autostradës. Ashtu sikurse edhe në aksin Tiranë–Elbasan, ku makinat e policisë qëndrojnë në një rrugë të drejtë dhe asnjëherë në “njollat e zeza” ku ndodhin aksidente thuajse çdo ditë, herë me pasoja dhe herë thjesht me dëme materiale, siç është kthesa në dalje të tunelit.