Sulmi ndaj gazetares, reagojnë Presidenti, Kryeministri dhe kreu i PD

Klodiana Lala

Krerët e shtetit kanë reaguar sot ndaj sulmit me armë në banesën e gazetares Klodiana Lala. Kreu i shtetit, Ilir Meta, kreu i qeverisë, Edi Rama dhe kreu i PD, Lulzim Basha kanë dënuar aktin dhe kanë kërkuar zbardhjen e tij në mënyrë urgjente.

Presidenti: Të hetohet ngjarja e rëndë

Presidenti Meta dhe gazetarja Klodiana Lala

 Në një deklaratë për mediat, zyra e shtypit e Presidencës njoftoi se Presidenti i Republikës, Ilir Meta dënon me ashpërsi sulmin me armë të kryer ndaj banesës së prindërve të gazetares së mirënjohur investigative, Klodiana Lala.

Edhe përmes një bisede telefonike ku shprehu solidaritet të plotë me gazetaren Lala, dy vajzat e saj të mitura dhe prindërit e saj, Presidenti Meta e inkurajoi të vijojë misionin e saj, pa u trembur dhe shantazhuar nga askush.

“Po kështu inkurajoj organet e sundimit të ligjit të hetojnë në mënyrë të plotë dhe shteruese, këtë ngjarje të rëndë, e të venë para ligjit këdo që qëndron pas saj. Liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike”, – nënvizoi Presidenti Meta.

Rama: E patolerueshme barbaria mbi shtëpinë e gazetares Klodiana Lala!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për sulmin me armë ndaj banesës së gazetares, Klodiana Lala. Në një reagim në Twitter, Rama e cilëson ngjarjen si barbare dhe deklaron se institucionet janë duke bërë gjithë hetimet e duhura.

“E patolerueshme barbaria mbi shtëpinë e gazetares Klodiana Lala! Ngjarja duhet zbardhur sa më parë dhe strukturat e shtetit janë të angazhuara maksimalisht. Mbështes e inkurajoj Klodianën në këtë moment kritik dhe pres me padurim ndëshkimin e keqbërësve”,- deklaron Edi Rama.

Basha: Kërcënimi i gazetares, pas denoncimit të bandës së Shullazit

Kryetari i Partisë Demokratike dënoi sot sulmin ndaj gazetares Klodiana Lala, banesa e prindërve të së cilës u godit me armë gjatë natës. Në një konferencë urgjente për mediat, Basha deklaroi se sulmi është një kambanë alarmi për lirinë e medias. Basha tha se kërcënimi vjen pas publikimit të përgjimeve për bandën e Emiljano Shullazit.

Deklarata e plotë e Lulzim Bashës: 

“Në vendin tonë të vogël të stërmunduar nga varfëria dhe korrupsioni, sot u realizua edhe ajo pjesë e skenarit që u ndodh vendeve që sundohen nga krimi: një gazetar që zbulon lidhjet e mafias me qeverinë, sulmohet me armë.

Familja e gazetares Klodiana Lala është sulmuar sot herët në mëngjes me breshëri automatiku dhe plumbat kanë goditur dhomën ku flenë vajzat e saj në shtëpinë e gjyshes së tyre. Mesazhi mafioz për gazetaren është i qartë:se kush del nga rreshti, kush shqetëson qeverinë, kush nuk i bindet sundimit të krimit, e ka fundin e shpejtë.

Dua të shpreh vendosmërisht mbështetjen time dhe të Partisë Demokratike për çdo gazetar të papërkulur nga krimi, të pablerë nga kjo qeveri që, prej 5 vjetësh, nuk u shërben qytetarëve, por bashkëqeveris me krimin.

Dua t’u them atyre, familjeve të tyre dhe çdo shqiptari që refuzon të qeveriset nga krimi, se kemi vetëm një rrugë për ta fituar betejën: duhet të qëndrojmë!

Sa herë media hesht, krimi triumfon!
Sa herë shoqëria hesht, krimi na qeveris!

Ne ia kemi dalë të largojmë nga parlamenti dhe nga bashkitë e vebdit disa dhjetëra kriminelë, me të cilët Edi Rama erdhi në pushtet, por fitorja nuk është akoma në anën e shoqërisë.

Edi Rama i ka zëvendësuar kriminleët që dekriminalizimi I nxorri jashtë Parlamentit me të emëruarit e kriminelëve.

Sulmi me armë ndaj gazetarës Klodiana Lala, e cila së fundmi nxori në dritë lidhjet e ngushta të deputetit të Edi Ramës, Jurgis Çyrbja me bandën e Emiljano Shullazit, janë tregues se krimi ndjehet i paprekshëm!

Dhe kjo është e vërteta e hidhur! Prej 5 vjetësh krimi po triumfon, sepse ai bashkëqeveris me Edi Ramën! Falë bashkëqeversijes me Ramë, këto 5 vjet Krimi kontrollon kupolen e policise dhe ministrine e bremdshme. Prej bashkëqeverisjes së Ramës me krimin, sot Shqipëria nuka ka polici, nuk ka prokurori, nuk ka gjykata. Prandaj shantazhohen gjyqtarë, qëllohen me armë gazetarë, qëllohen biznesmenë, dhunohen e përdhunohen e grabiten qytetarë nga shtëpitë e tyre.

Edi Rama të lërë lotët e krokodilit dhe të gjejë autorët e sulmit mafioz me armë kundër gazetarës Klodiana Lala! Le të thërrasë banditët e vet brenda dhe jashtë burgut, le të flasë me horrat e vet brenda dhe jashtë parlamentit dhe të gjejë mafiozët që, nën mbrojtjen e qeverisë së tij, guxojnë të përdorin armë kundër gazetarëve që zbulojnë lidhjet e krimit me qeverinë e Edi Ramës. Sot, kam edhe një mesazh për Edi Ramën: do të mbahesh ti përgjegjës i vetëm, nëse gazetares Klodiana Lala, familjes së saj, çdo gazetari që nuk ha bukën tënde apo çdo opozitari me qeverinë tënde i preket qoftë edhe një fije floku nga horrat dhe krimi që ke nën urdhra!Mesazhi im për cdo qytetar është se sa kohë kryeministri i vendit është i lidhur me krimin, Shqipëria do jetë në mëshirën e bandave. Me të mirat dhe të këqijat tona, duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të çlirohemi nga krimi që qeveris vendin”.

Kryemadhi: Sulmi ndaj gazetares, sulm ndaj të gjithë shqiptarëve

Në një takim ditën e sotme me strukturat e partisë së LSI në Tiranë, kryetarja e kësaj partie Monika Kryemadhi ka dënuar sulmin me armë ndaj banesës së babait të gazetares Klodiana Lala, duke e quajtur atë sulm ndaj të gjithë shqiptarëve.

“Sulmi ndaj Klodiana Lalës duhet të konsiderohet si sulm ndaj të gjithë shqiptarëve. Shprehim jo vetëm solidaritet, por edhe mbështetjen e plotë ndaj gazetares Klodiana Lala dhe familjes së saj, e cila nuk është hera e parë që kërcënohet dhe shantazhohet për shkak të detyrës. Por, ajo sot ka qenë përballë një dhunë kriminale ndaj saj dhe familjes së saj. Akti kriminal ndaj saj tregon se sot në Shqipëri bandat dhe krimi janë ulur këmbëkryq dhe kurajo e tyre ka kaluar çdo kufi njerëzor”, tha Kryemadhi.