Shoferë kujdes! “Vëllai i madh po ju vëzhgon”

Prej ditësh, Policia Rrugore po vëzhgon me Dron akset më problematike në vend. Pas Fierit dhe Lezhës, këtë herë “vëllai i madh” u ndal në Tiranë. Policia Rrugore e Tiranës, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale të Policisë Rrugore kanë vijuar kontrollet në funksion të planeve të nisura më herët nga rrugorët e kryeqytetit, ku krahas kontrolleve me mjetet speciale radar e drager, apo formave të tjera të organizimit për të evidentuar e ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor, tashmë monitorimi dhe konstatimi i shkeljeve po realizohet edhe me dron.

Kontrollet u fokusuan në drejtim të kontrollit dhe ndëshkimit të drejtuesve të mjeteve që nuk i japin përparësi mjeteve që qarkullojnë në rrethrrotullim, mjeteve që nuk i japin përparësi këmbësorëve në vendkalimet e tyre, mjeteve që kryejnë parakalime në rrugë me fushëpamje të kufizuar ku dhe rrezikshmëria për t’u përfshirë në aksidente rrugore është më e madhe.

Nga monitorimet dhe kontrollet përgjatë këtyre ditëve janë konstatuar dhe ndëshkuar me masa administrative, 128 drejtues mjetesh për shkeljet e lartpërmendura. Nisur nga shqetësimet dhe rreziku permanent që shfaqin mjetet e shërbimit publik kryesisht në rrugën interurbane kryesore Tiranë-Durrës dhe anasjelltas, duke ndaluar jashtë stacioneve të miratuara për marrjen dhe zbritjen e pasagjerëve jashtë stacioneve të miratuara, Policia Rrugore e Tiranës monitoroi edhe pikat e rrezikut ku haset më së shumti ky fenomen. Përveç masave administrative për mjetet e shërbimit publik të cilët u ndëshkuan, Policia Rrugore apelon që kategoria e këmbësorëve të stacionohen në vendet e miratuara nga autoritetet përkatëse me qëllim disiplinimin e këtij shërbimi dhe rritjen e sigurisë në rrugët urbane dhe interurbane të kryeqytetit.

Një tjetër shqetësim për Policinë e Tiranës është mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor nga këmbësorët, duke kaluar në rrugët interurbane dhe në rrugët urbane, jo në mbikalimet apo në vijat e bardha por në vendet e pa lejuara duke ju ndërprerë rrugën automjeteve, çka përbëjnë rrezik potencial për jetën e tyre dhe përdoruesve të tjerë të rrugës. Policia Rrugore e Tiranës apelon për zbatim të rregullave të qarkullimit si nga drejtuesit e mjeteve ashtu dhe nga këmbësorët me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.