Serbia nuk lejon pllaka përkujtimore në varrezat masive me shqiptarë

Mbi 700 trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës janë gjetur vite më parë në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, por po ta vizitosh këtë vend sot nuk do të gjesh ndonjë pllakë apo memorial që e tregon këtë.

E gjithë kjo pasi institucionet e shtetit serb nuk po pranojnë që vendet ku janë gjetur varreza masive me trupa të shqiptarëve të shënohen me “pllaka përkujtimore”, edhe pse institucionet e Kosovës deklarojnë që e kanë bërë një kërkesë të tillë.

Përveçse në Batajnicë, as në Petrovo Selo, Perçuc dhe as në Rudnicë nuk janë lejuar të vendosen memoriale të tilla që tregojnë se në këto vende ka pasur varreza masive.

E mos shënjimi i këtyre varrezave masive nga shteti serb, për drejtorin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala, është ikje nga përgjegjësia për krimet që janë bërë.

Sipas tij, po të ndodhë shënjimi, atëherë shteti i Serbisë do të marrë përgjegjësinë për ato krime.
Ndërsa, Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare, shprehet se refuzimi i shtetit serb për të shënuar këto vende, është për shkak se ky shtet dëshiron që të harrohet e kaluara.

Shënjimin e këtyre vendeve nga shteti serb e kanë kërkuar edhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi dhe Nisma e të Rinjve për të Drejta të Njeriut, madje këto dy organizata kanë ndërmarrë edhe disa aktivitete me qëllimin për t’i bërë presion shtetit serb, por që nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat.

Një kërkesë të tillë e ka pasur edhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ku anëtari i këtij komisioni Ahmet Grajqevci, për KosovaPress ka bërë të ditur se gjatë këtij viti kanë bërë një kërkesë të tillë tek institucionet e shtetit serb.

Megjithatë, ai shprehet skeptik se një gjë e tillë do të ndodhë.
KosovaPress ka kërkuar edhe nga zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që të marrë një përgjigje nëse kanë bërë një kërkesë të tillë për shënimin e vendeve ku janë gjetur varreza masive, por nuk ka marrë përgjigje. Aktualisht Kosovës i mungojnë edhe mbi 1 mijë e 600 persona të zhdukur gjatë luftës së fundit.