Mogherini apel vendeve të BE-së për emigrantët: Duhet më shumë përgjegjësi

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u bëri thirrje vendeve anëtare që të marrin “më shumë përgjegjësi” për migrantët e shpëtuar në Detin Mesdhe. Çështja është sot në agjendën e një takimi të ministrave të Mbrojtjes të BE-së në Vjenë.

Mogherini, e cila vetë është italiane, tha se menaxhimi i fluksit të migrantëve është çështje e përbashkët evropiane dhe jo e një vendi të vetëm.”Kjo është arsyeja pse ne kemi një operacion të BE-së. Edhe nëse është një diskutim shumë i vështirë, do të ishte mirë nëse shtetet anëtare konsiderojnë marrjen e më shumë përgjegjësive në këtë drejtim”.

Qeveria populiste e Italisë ka marrë një qëndrim të ashpër ndaj migracionit, duke refuzuar t’i zbarkojë njerëzit e shpëtuar në det nëse shtetet e tjera anëtare të BE nuk ofrohen për t’i marrë ata.
Çështja kërcënon Operacionin Sofia, një operacion detar i BE-së për luftimin e trafikimit me njerëz jashtë brigjeve të Libisë, i cili duhet të zgjasë deri në fund të vitit.Kur është krijuar në vitin 2015, shtetet anëtare kanë rënë dakord që çdo migrant i shpëtuar të pranohet në Itali.Roma tani kërkon ndryshimin e këtyre rregullave, duke kërcënuar me mbylljen e porteve të saj.