LSI ndez motorët në Tiranë. Braimllari: Të zhdukim këtë kryeministrit të lidhur me krimin

Sekretari i Përgjithshëm i LSI dhe deputeti, Endrit Braimllari e cilësoi situatën e sigurisë në vend si alarmante. Në takimin me strukturat e LSI në Tiranë, Braimllari u shpreh se është koha që qytetarët të kërkojnë largimin e kësaj qeverie që ka sjellë vetëm probleme për jetën e çdo shqiptari.

“Vendi është në situatë kritike për shkak të një Kryeministri hajdut dhe të lidhur me krimin e organizuar. Jeta e qytetarëve është e pasigurtë, krimi i organizuar drejton qytetet e vendit dhe tani i bën presion hapur çdo qytetari, gazetar apo dhe politikani. Ky Kryeministër e ka shkatërruar vendin pasi mbolli në këtë vend krimin dhe varfërinë. Jemi sot në këtë takim me strukturat e LSI-së së Tiranës pasi kemi një përgjegjësi më të madhe dhe tani jo vetëm politike por dhe qytetare për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo humner ku e ka futur Edi Rama. Duhet të organizohemi në çdo qendër votimi, në çdo lagje apo njësi të Tiranës sepse sot më shumë se kurrë duhet të përballemi me një Kryeministër kriminel”,- tha Braimllari.

Duke bërë thirrje për organizim të gjithë strukturave të LSI-së, Braimllari u shpreh se misioni i çdo opozitar dhe çdo qytetari është largimi një kryeministri që po faktohet se është i lidhur me krimin.

“Përgjigja për Edi Ramën dhe kësaj klike kriminale e cila është e vendosur në pushtet duhet dhënë menjëherë me njerëz anë e mbanë. Me njerëz në çdo qendër votimi, në çdo shtëpi, lagje dhe njësi bashkiake sepse sot kemi një mision më madhor, të largojmë krimin e organizuar nga qeveria, nga çdo qelizë shoqërore dhe ta nxjerrim njëherë e përgjithmonë Shqipërinë nga varfëria ekstreme ku e ka futur ky Kryeministër”,- tha Braimllari.