”Gjenocid” i burrështetasve shqiptarë mbi shqiptarët

Kim Mehmeti

Përderisa Kryeministri i Shqipërisë fotografohet me futbollistë të famshëm, me qindra mijë të rinj shqiptarë, ëndërrojnë ta braktisin vendlindjen. Derisa Presidenti i Kosovës merret me ndarjen e vendit, si të ishte ajo livadh i tij privat, me çka mbase do e shpëtojë vetveten nga Gjykata Speciale dhe, do bëhet nobelist, nga i cili do turpërohet mbarë shqiptaria, shqiptarët e Kosovës ndjehen aq të molisur nga lojërat politike, sa janë bërë thuajse të pandjeshëm ndaj fatit të tyre.

Përderisa pushtetarët shqiptarë në Maqedoni, i frikon mundësia e dështimit të referendumit për ndryshimin e emrit të shtetit, vendbanimet shqiptare kanë mbetur thuajse me aq banorë, sa është numri i përkrahësve të BDI-së, të punësuar nëpër institucionet shtetërore.

Po pra, sa u përket burrështetasve të ”Shqipërive” tonë, ke përshtypjen se ata merren, o me ”shitjen” e tokave shqiptare, o me dëbimin e rinisë sonë. Dhe, të duket se nga gjitha ekzodet dhe gjenocidet e deritanishme me të cilët është përballur shqiptaria, këto të viteve të fundit, janë më të dhembshëm, më tragjikë dhe më shkatërrimtarë.

Edhe atë jo vetëm pse ato i zbatojnë burrështetasit shqiptarë, por pse fajtor jemi të gjithë ne që e vumë në ‘gjumë’ popullin, duke mos i treguar se vlerë më e çmuar e shumicës së burrështetasve tanë, është vetia e tyre e kundërt nga ajo që i dallon qentë besnik: e lehin dhe e kafshojnë të vetin, por i lëpihen dhe i gjunjëzohen të huajit.

Duke e parë se janë të tillë, shumë qendra Perëndimore, e kuptuan se ndaj tyre duhet ta përdorësh parimin: sa më të ulët e ka politikani shqiptar dinjitetin, moralin dhe koeficienitn e intelegjencisë, aq më bindshëm u nënshtrohet vlerave ”demokratike”.