Carlo Bollino: Plumba gazetares, tani shqiptarët duhet të vendosin: Me të Mirën, apo me të Keqen

Nga Carlo Bollino –

Kam punuar në Itali për vite me radhë duke u marrë me kriminalitetin dhe mafien. Kam provuar ankthin e kërcënimeve, frikën nga errësira kur, në mes të natës, kthehesh në shtëpi dhe je i vetëm, shqetësimin që të krijon një telefonatë anonime apo – siç më ka ndodhur një herë – kur merr një zarf që ka brenda një fishek kalibër 9 mm, që ka të shkruar sipër “for you”. Edhe unë kam patur frikë, si shumë gazetarë, të cilët kanë shkruar dhe vazhdojnë të shkruajnë kundër kriminalitetit e kështu që e imagjinoj shumë qartë gjendjen shpirtërore që po përjeton sot Klodiana Lala, e cila filloi të punojë pikërisht me mua. Instikti i parë është ai që ta braktisësh, ta ndryshosh sektorin, të merresh me diçka tjetër: ndoshta me udhëtimet, me turizmin apo me modën. Por, më pas, reflekton dhe frika ndeshet me një tjetër ndjenjë, po aq të fuqishme dhe të cilën pikërisht kërcënimet e ushqejnë: krenarinë. Kriminelët besojnë se krenaria u përket vetëm atyre (për krenari mund edhe të vrasin) dhe prandaj synojnë gjithshka tek frika: kërcënojnë sepse, në fund të fundit, mendojnë që gazetarët janë njerëz me pak vlera dhe mjafton një kërcënim që t’i bësh të tërhiqen.

Unë për shumë vite kam rezistuar dhe nuk jam tërhequr kurrë. Krenaria ime ka qenë gjithnjë më e madhe se frika dhe kam vazhduar të shkruaj mbi mafien dhe krimin derisa kam dashur ta bëj një gjë të tillë. Por forca që gjeta në atë kohë nuk ishte meritë vetëm e imja: kërcënimi i vërtetë për një gazetar, në fakt, nuk është tmerri, por vetmia. Ata që më ndihmuan të mos jepesha ishin njerëzit që më rrethonin, bashkëqytetarët e mi, edhe më parë se kolegët: vetëm nëse një gazetar ka perceptimin se po bën diçka të drejtë dhe se po lufton për një betejë të përbashkët me opinionin publik, vetëm atëhere e gjen kurajon që i duhet për të ecur përpara. Vetëm nëse një gazetar e ndjen veten të mbrojtur nga Shteti, ndjen se e përfaqëson atë në denoncimet që publikon dhe se është pjesë e tij deri në fund kur përballet me krimin, vetëm atëhere gjen forcën për të rezistuar. Vetëm kur një gazetar respektohet në misionin e tij dhe kupton se është në anën e drejtë të barrikadës, sëbashku me shumicën dërmuese të shoqërisë, vetëm atëhere nuk ka më frikë nga krimi dhe nga kërcënimet e tij. Në realitet, vetmia nuk rrezikon me kërcënim vetëm gazetarët, por edhe policët, gjyqtarët, prokurorët dhe këdo tjetër që ka vullnetin të luftojë dhe të mundë të keqen.

Ja pse fushatat e vazhdueshme të deligjitimimit ndaj medias, të përpunuara nga politika dhe vetë auto-shkatërrimi që ushqejnë gazetarët me militantizmin e tyre, shërbejnë veçse për të gërmuar një hendek të pakapërcyeshëm mes gazetarëve dhe opinionit publik. Përtej këtij hendeku, gazetarët e ndershëm përfundojnë të jenë të vetëm.

Klodiana Lala nuk duhet të lihet e vetme. Asnjë gazetar i kërcënuar apo edhe vetëm i fyer nuk duhet të lihet i vetëm. Pasi një gazetar i vetëm është edhe një gazetar i dobët, që nuk do ta gjejë kurrë forcën t’i rezistojë asnjë lloj kërcënimi e presioni nëse nuk e ndjen veten të mbrojtur nga gjithë Të Mirët që e rrethojnë. Kjo është një Luftë mes Të Mirës dhe të Keqes dhe të gjithë duhet të vendosin se nga cila anë janë. Duhet ta vendosin para së gjithash politikanët, të gjithë, pa dallim partie apo pozite: zakonit vulgar për të ndarë në të mirë e të këqinj gazetarët vetëm mbi bazë të interesit të vet politik duhet t’i jepet një herë e mirë fund. Gazetarët janë të mirë kur thonë të vërtetën dhe të këqinj kur gënjejnë. Pikë. Por edhe njerëzit e zakonshëm duhet të vendosin se nga cila anë janë. Nuk është më koha për t’u kthyer nga ana tjetër e të besosh se ajo çka i ndodh një gazetari ka të bëjë vetëm me atë.

Indiferenca jonë mund të bëhet aleati kryesor i kriminelëve, indinjata kolektive është arma, së cilës krimi i trembet më shumë se çdo gjëje.