1 mijë tërmete në Shqipëri në hark kohor dymujor. Ç’po ndodh në brezin alpino-mesdhetar?

Tërmetet nuk po ndalojnë në Shqipëri. Vendi ynë vijon të mbetet një vatër e “nxehtë” për sa i përket tërmeteve. Sipas Institutit të Gjeoshkencave mbrëmjen e djeshme një tjetër lëkundje është regjistruar në zonën e Gjirit të Lalzit.

Tërmeti ka ndodhur pak pas mesnate, me epiqendër 11 km thellësi në bregdet. Zona e Gjirit të Lalzit nuk po ndalon së lëkunduri. Ai ishte i magnitudës 2.1 ballë i shkallës rihter dhe pa pasoja materiale apo njerëzore.

Këtë verë mund të kenë tronditur Shqipërinë mbi 1 mijë tërmete, ndërsa disa raste lëkundjet kanë qenë të konsiderueshme, madje në dëme të mëdha materiale. Ka rënë dy termete në harkun kohor prej dy muajve në shkallën 5.2 ballë.

Ku bën pjesë Shqipëria

Shqipëria bën pjesë në zonën sizmogjene Jonike-Adriatike (rajoni i Shkodrës; Shqipëria perëndimore; zona Korçë-Ohër-Peshkopi, me vija aktive në Lushnje, Elbasan, Dibër dhe Vlorë, Tepelenë-Ersekë). Alpet e Shqipërisë janë më pak të prekura nga lëkundjet e tërmeteve. Afërsisht, çdo vit në Shqipëri shkaktohen 4-5 tërmete me 6 ballë dhe çdo 25 vjet shkaktohet 1 tërmet me afro 7.5 ballë, duke e bërë kështu Shqipërinë një rajon me aktivitet të lartë sizmik.

Nga lashtësia njihen si tërmete më të fuqishme ai i Apolonisë në vitin 217 e.s. Në Durrës tërmete kanë rënë në vitet 334 dhe 506 të erës sonë, si dhe në vitin 1273. Gjithashtu në kohët e vjetra përmenden dhe tërmetet e Butrintit në vitin 1153 dhe të Krujës në vitin 1617. Nga studimet e pakta që kanë ardhur deri në ditët tona rezulton se gjatë shekullit te 19-të në Shqipëri janë ndjerë 77 tërmete me mbi 6-7 ballë.

Shqipëria bën pjesë në brezin alpino-mesdhetar. Kjo situatë ka ardhur si rezultat i konfrontimit të pllakës së Adrias me një pjesë të Orogjenit. Zonat më të rrezikuara janë zona e bregdetit shqiptar, zona e dytë që paraqet rrezikshmëri është zona e Leskovik-Korçë-Pogradec, ndërsa zona e tretë mbahet si zona e Lushnje-Elbasan-Peshkopi.

Pse ndodhin në Shqipëri

Një shpërndarje e tillë duket se ka të bëjë me ndërtimin gjeologjik dhe tektonik të territorit tonë. Gjatë etapës më të re gjeologjike, gjatë asaj neotektonike, këto rajone i janë nënshtruar një copëtimi dhe diferencimi të fuqishëm. Ato ndërpriten me mjaft thyerje, të cilat dallohen nga një shkallë e lartë diferencimi. Vatrat e tërmeteve më të fuqishme duken se ndodhen në kryqëzimin e këtyre thyerjeve.

Referuar, tekstit të gjeografisë fizike, në Shqipëri mbisundojnë tërmete me thellësi vatre mbi 10 kilometra, që zënë rreth 86.5 për qind të numrit të përgjithshëm të tërmeteve, kurse tërmetet me vatra deri në 5 kilometra përbëjnë 3.6 për qind të të gjitha tërmeteve që ndodhen në Shqipërinë Jugperëndimore.

Kulmi i tërmeteve, në vendin tonë, shkon njëherë në 25 vjet dhe kjo tregon se vendi ynë ka një aktivitet të madh sizmik. Kjo ka bërë që në vendin tonë tërmetet të regjistrohen që në kohët antike. Me tërmet kuptohen lëvizjet e tokës të shkatërruara nga proçeset e thyerjeve dhe shkatërrimit të shtresave në zonën e vatrës së tërmetit, ku energjia potenciale kthehet në energji kinetike të lëkundjeve.

Çdo tërmet përbëhet pothuajse gjithnjë nga disa lëkundje me fuqi të ndryshme që vijnë njëra pas tjetrës. Zgjatja e çdo lëkundjeje të tërmetit mund të llogaritet në sekonda, por nganjëherë lëkundjet, që fillojnë në ndonjë zonë, mund të vazhdojnë me ndërprerje për një kohë të gjatë deri në disa vjet.

Në përgjithësi, shumica e tërmeteve, lindin gati 60 kilometra në thellësi të sipërfaqes së tokës. Këto quhen tërmete normale. Shumica e tërmeteve kontinentale nuk janë më të thella se 20 kilometra. Përveç tërmeteve normale, ekzistojnë edhe tërmete me thellësi më të mëdha se 60 kilometra, të cilat quhen tërmete të ndërmjetme dhe tërmete me thellësi 300-600 kilometra, që quhen tërmete të thella. Ekziston një lidhje midis madhësisë, intensitetit dhe sipërfaqeve të përhapjeve së tërmeteve me thellësinë e vatrave.

Sa më e thellë të jetë vatra e tërmetit, aq më e madhe është sipërfaqja e përhapjes dhe aq më i vogël intensiteti i tyre. Shkalla e veprimit të tërmetit në çdo sektor të sipërfaqes vlerësohet sipas shkallës së intensitetit. Intensiteti rrjedhimisht nuk është parametër i vatrës së tërmetit, por vetëm reflekton veprimin e vrojtuar të tërmetit në një pikë të caktuar të sipërfaqes së Tokës. Intensiteti i tërmetit varet nga madhësia e magnitudës (që e masim me shkallën Richter) ose e energjisë së çliruar, largësia deri tek epiqendra, mekanizmi i lindjes së tërmetit etj.

Vrojtimet kanë treguar se ndikimi i tërmeteve varet në një shkallë të madhe dhe nga kushtet lokale të territorit. Në përgjithësi, sa më e butë që të jetë toka aq më i madh është shkatërrimi.

Pasojat në Shqipëri

Si rezultat i tërmeteve, në vendin tonë, janë konstatuar të çara të mëdha të tokës si p.sh në tërmetin e Dibrës (1967) me një gjatësi 10 kilometra e amplitudë 30-50 centimetra; në Tepelenë më 1920, ku çarja pati një amplitudë vertikale, 0.5-1.5 metra; në tërmetin e Lezhës dhe Shkodrës, ku arriti një disnivel gati 1.5 metra (Pulaj). Në vitin 1967, blloku juglindor, pranë malit të Zabzunit pësoi ulje kurse blloku veriperëndimor u ngrit. Si rrjedhojë e këtyre lëvizjeve janë zhdukur edhe ishuj të vegjël dhe janë krijuar ishuj krejt të rinj.

Studiuesi i njohur Betim Muço ka shpjeguar situacionin sizmik të Shqipërisë dhe zonat e saj më të prekshme. Pse vendi ka një aktivitet të lartë sizmik dhe si regjistrohen tërmetet, me anë të rrjetit të organizuar, për të regjistruar deri në lëkundjet më të imta. Një studim, që është mbështetur në gati 20 vjet, aktivitet regjistrimi të stacioneve sizmike shqiptare.

Shqipëria është e vendosur në zonën që përfshin Detin Egje, e cila sizmologjikisht është zona më shumë aktive në të gjithë pjesën evropiane të brezit sizmik alpino- mesdhetar. Vendi është pjesë e kryqëzimit ndërmjet Adrias ose mikropjatës së Adriatikut dhe pjatës litosferike të Euroazisë dhe përfshin formacionet orogjenike të pjesëve perëndimore të gadishullit të Ballkanit. Shqipëria është e karakterizuar nga një mikroaktivitet sizmik intensiv, me tërmete të vegjël dhe të karakterit të mesëm dhe rrallëherë me ndonjë të madh.

Shqipëria është një rajon disi i komplikuar për sa i përket pikëpamjes gjeologjike dhe sizmotektonike. Bazuar në vëzhgimin sizmotektonik, dy fusha mund të ndahen në Shqipëri: pjesa e jashtme e cila përfshin pjesën bregdetare me depresionin Para-Adriatik dhe vargu i maleve jugperëndimor dhe një tjetër i brendshëm që përfshin të gjithë zonat malore të veriut, lindjes dhe juglindjes të Shqipërisë.

Dy vendet me aktivitet më të qartë sizmik janë një fragment në kufirin Mali i Zi dhe Shqipëri, (përmendet me tërmetin e madh që ka ndodhur në 15 prill të vitit 1979) dhe swarm-i i Nikaj Mërturit, në veri të Shqipërisë që ka zgjatur nga nëntori 1985 dhe deri në gusht të vitit 1986. Duke iu referuar thellësive të kalkuluara të ngjarjeve është e qartë se vetëm në pak raste thellësia e tërmetit shtrihet në 40 kilometra. Ato që kanë thellësi më të mëdha janë komplet jashtë territorit të Shqipërisë.

Harta paraqet shtatë zona me vlera të larta të energjisë gjatë vitit 1976-2015. Këto zona janë: a. Greqia Veriperëndimore deri në jug të Shqipërisë; b.Bregu i Detit dhe rajoni i Kurveleshit në Shqipëri; c. Zona nga rrjedha e Lumit Vjosa në detin Adriatik, deri në jug të qytetit të Tiranës d. Zona, që është në veri të Liqenit të Prespës dhe në lindje të liqenit të Ohrit. e. Zona nga Bulqiza deri në jug të Kukësit; f. zona në veri të Shqipërisë, bregdeti i Malit të Zi. (Marrë nga një studim anglisht i të ndjerit Betim Muço, për tërmetet në Shqipëri)

Disa nga tërmetet më të fuqishme në shekullin XIX kanë rënë në:

Vlorë më 12 tetor 1851, duke shkaktuar 20 të vrarë.

Berat më 17 tetor 1851, duke shkaktuar 400 ushtarë të vrarë në Kala.

Shkodër në muajt shkurt-tetor 1855, 12 tërmete që u ndjenë dhe në Delvinë dhe Bari të Italisë.

Himarë më 14 qershor 1895.

Gjatë shekullit XX janë regjistruar këto tërmete të fuqishme:

Shkodër më 1 qershor 1905, që shkaktoi 1500 shtëpi të shkatërruara, 200 të vrarë dhe 500 të plagosur

Ohër më 18 shkurt 1911.

Tepelenë, më 20 nëntor 1920, duke shkaktuar 36 të vrarë dhe 102 të plagosur. Ai shkatërroi 2 500 shtëpi e la pa strehë 15 000 veta.

Durrës, më 17 dhjetor 1926, lëkundjet u ndjenë dhe në Itali, Jugosllavi e Greqi.

Vlorë-Tepelenë më 21 nëntor 1930, duke shkaktuar 30 të vrarë e mbi 100 të plagosur.

Korçë, me 28 janar 1931.

Peshkopi me 24 gusht 1924, duke shkatërruar afro 80 % të shtëpive, 44 të vrarë dhe 119 të plagosur,

Lushnjë-Fier-Rrogozhinë-Peqin-Berat më 1 shtator 1959.

Korçë më 26 maj 1960, ku u shkatërruan plot 1479 ndërtesa.

Fier-Tepelenë-Berat-Lushnjë, më 18 mars 1962, duke shkaktuar 5 të vrarë e 77 të plagosur dhe ku u shkatërruan 2 700 shtëpi.

Fier, më 18 mars 1962, ku u vranë 5 veta e u plagosën 77 të tjerë dhe u shkatërruan 2700 shtëpi.

Dibër-Librazhd, më 30 nëntor 1967, duke shkatërruar 177 fshatra, ku gjetën vdekjen 12 veta dhe 174 të tjerë u plagosen. Karakteristike e këtij tërmeti është thyerja e tokës me gjatësi mbi 10 kilometra e zhvendosja vertikale e dheut deri në 50 centimetra.

Shkodër-Librazhd, më 3 nëntor 1968

Shkodër-Lezhë, më 15 prill 1979, duke dëmtuar 17 118 shtëpi e objekte social-kulturore.

Roskovec, më 17 nëntor 1982, duke u ndjerë tërmeti edhe në Fier, Librazhd e Berat, ku u shkatërruan 16 534 ndërtesa, u vra 1 person dhe 12 te plagosur.

Tiranë më 7 janar 1988, u dëmtuan 2083 shtëpi

Fushë-Bardhë-Gjirokastër më 26 mars 1990.