Sokol Cikalleshi prezantohet te klubi i Goztepe-s

Sulmuesi i Kombëtares, Sokol Cikalleshi, është prezantuar te skuadra e re në Turqi. Faqja zyrtare e klubit të Goztepes ka postuar lajmin dhe fotot e prezantimit zyrtar të tij. Cikalleshi ka lënë Osmanlisporin e rënë një kategori më poshtë dhe do të luajë sërish në elitën e futbollit turk.

Ai ka kaluar në formën e huazimit për një sezon te Goztepe, që është skuadra e tij e katërt në kampionatin turk. Më parë futbollisti i Kombëtares ka veshur edhe fanellën e Basaksehirit dhe Akhisarit në kategorinë më të lartë të futbollit turk.

Pas disa ditësh pritet që Cikalleshi do të grumbullohet me kuqezinjtë për ndeshjet e Ligës së Kombeve, ku pritet që të ketë minuta në dispozicion për të treguar vlerat e tij. Në sezonin e kaluar ai u aktivizua në 31 ndeshje në total, në kampionat dhe Kupë duke shënuar 8 gola, dhe duke dhuruar një asist për shokët e tij të ekipit.

Fotografia e Göztepe Spor Kulübü