“Rruga e vdekjes”, banorët në panik nga fillimi i shkollës

Rruga e re në fshatin Arapaj në Roskovec, në vend të gëzimit për banorët është kthyer në “rrugë vdekje”. Në fshat janë ende të tronditur nga aksidenti që ndodhi mbrëmjen e së dielës, e që siç thonë ata u mori dy djemtë më të mirë.

Dy kushërinjtë Amarildo, 29-vjeç dhe Festim Dogani, 21-vjeç, po ecnin në trotuar, kur u përplasën nga një automjet që lëvizte me shpejtësi në një zonë të banuar. Në Arapaj, të gjithë janë në panik nga rreziku që u erdhi bashkë me asfaltin. Shkolla fillon së shpejti dhe godina ku mësojnë 500 nxënës ndodhet buzë rrugës. Banorët kërkojnë vendosjen e ndriçimit, sinjalistikës, si dhe pengesave në rrugë por edhe më shumë kontrolle nga Policia e Shtetit.

“Tani vjen një keqe më e madhe për ne. Një muaj që është bërë rruga 3 aksidente kanë ndodhurreth dy km qendër e banuar, pa sinjalistikë, pa barriera mbrojtëse pa çdo gjë. Mund të jetë e katërta kjo me vdekje, kanë ndodhur plagosje, spitale, gjëra. Këtu ka shumë trafik, kemi probleme me shkollën, fëmijët vënë në shkollë, shkolla fillon për dy javë, nuk kemi garanci për shkollën, ne nuk i çojmë në shkollë nëse nuk merren masa”.

Të dielën, 4 kushërinjtë po pinin kafen e darkës dhe po planifikonin si të shkonin për në Greqi por për dy prej tyre, ajo kafe me djemtë e xhaxhallarëve ishte e fundit. Amarildo Dogani dhe Festim Dogani, 29-vjeç dhe 21-vjeç, u aksidentuan për vdekje në fshatin Arapaj të Roskovecit. Amarildo Çalamani, drejtuesi i mjetit “Volswagen” që shkaktoi aksidentin tragjik, rezulton të jetë shofer problematik. Martin Dogani, i mbijetuari i aksidentit tragjik, tregon se makina ka qënë me shpejtësi deri në 120 km në orë dhe ka frenuar para se ti përplasë. Ai thotë se kishin pirë kafe pak para aksidentit, e të gjithë si kushërinj kishin dalë në trotuar për të biseduar. “Përplasja na i ndali të qeshurat”,-tregon ai. Pavarsisht kontrolleve të Policisë Rrugore, numri i aksidenteve rrugore vijon të mbetet i lartë.

Fatmira Dogani, është zonja e shtëpisë ku u përplas makina. Ajo tregon tmerrin që pa me sy nga aksidenti që i mori jetën Amarildo Doganit dhe Festim Doganit. “Erdhi makina me shpjetësi, isha në oborr, pashë që 2 i vërviti i mori zvarrë, një e përplasi në mur. Ç’të shihja, u mblodh gjithë fshati, i futën në makina për t’i çuar në spital, po ç’ti çoje”,tha ajo. Nga ana tjetër, ajo shprehu frikën për të kaluar me fëmijët në këtë rrugë.

“Kemi frikë të çojmë fëmijët në shkollë, kemi frikë të dalim në dyqan se më kanë ndodhur 2 herë përpara shtëpisë. Që kur është bërë rruga, kalojnë shumë shpejtë këtu”,-thekson Fatmira Dogani.

Sipas të dhënave të INSTAT në muajin korrik kanë humbur jetën 18 persona nga aksidentet rrugore, ndërsa 210 persona kanë mbetur të plagosur. Në 7 muaj 116 persona kanë vdekur nga aksidentet.