Petrit Vasili: Gjykata e Strasburgut foli, qeveria shqiptare ka ndërhyrë në mënyrë kriminale

Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili akuzon qeverinë se ka ndërhyrë në mënyrë kriminale në Gjykatën e Strasburgut për të bllokuar proceset gjyqësore të qytetarëve shqiptarë për pronat.

Reagimi i Petrit Vasilit vjen pas deklaratës së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, e cila pranon se ka pasur ndërhyrje nga qeveria shqiptare për proceset e pronave. Në një deklaratë dhënë për televizionin “Fax News”, GJEDN shprehet se “në vitin 2014, një zyrtar i afërt me qeverinë shqiptare, (zoti Denar Biba) kontaktoi zotin Ledi Bianku, gjyqtar përfaqësues i Shqipërisë, duke i kërkuar që gjykata të shtyjë shqyrtimet e rasteve për rikthimin ose kompensimin e pronës. Gjyqtari Bjanku, i tregoi këtij personi se kjo sjellje ishte e papërshtatshme  dhe menjëherë informoi Dean Spielmann, president i Gjykatës Europiane në atë kohë. Ai në vazhdim informoi Presidentin e Gjykatës, Guido Raimondi, sapo ai u zgjodh”.

Ky reagim i GJEDN konfirmon akuzat e opozitës ndaj qeverisë për tentativë korrupsioni ndaj gjykatës më të rëndësishme euriopiane. Kreu i deputetëve të LSI-së shprehet se pas këtij qëndrimit nga Strasburgu, të gjithë përfaqësuesit e qeverisë që pretendojnë të kundërtën e morën përgjigjen. “Megafonët debilë të kryeministrit e morën përgjigjen. GJEDNJ në Strasburg foli qartë. Kjo qeveri turpi i Shqipërisë. Qeveria egërsisht kundër shqiptarëve dhe të drejtave të tyre”,- deklaron Petrit Vasili.

Ai shton se prokuroria duhet të ndëshkojë këtë qeveri dhe këta zyrtarë që punojnë kundër popullit. “Prokuroria të ndëshkojë rëndë këta hajdutë, që punojnë kundër popullit”,- deklaron Vasili.

Pas skandalit të fundit, Vasili shprehet se veprimet e qeverisë për korruptimin e Strasburgut vënë në pikëpyetje dhe reformën në drejtësi. “Reforma në drejtësi është baraz me drejtësi horrash”,- shprehet në reagimin e tij, Petrit Vasili.