Noka shqetëson kryetaren e tij te “Siguria”, Felaj: Akuzat për dhënie tenderash, shpifje

Qëndrimet e mbajtura sot nga nënkryetari demokrat i Komisionit të Sigurisë Kombëtare Flamur Noka duket se e kanë shqetësuar kryetaren socialiste të këtij Komisioni, Ermonela Felaj.

Përmes një reagimi në faqen e saj zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Felaj shprehet se rruga e ndjekur nga demokratët është një strategji e turpshme duke sajuar akuza me tendera korruptim të dhëna nga qeveria “Rama”.

Por përtej kësaj, deputetja socialiste në prag të çeljes së sesionit të ri parlamentar zotohet se mazhoranca dhe qeveria do të investohen çdo ditë e më shumë te puna për njerëzit e zakonshëm

Reagimi i plotë i Ermonela Felajt

Dita ditës po bëhet edhe më i qartë misioni që ka marrë përsipër Partia Demokratike, të shpifë e të baltosë me sa të mundet qeverinë shqiptare, duke trilluar lloj lloj aferash, përgjimesh, skandalesh e skemash korruptive.

Sot, një tjetër deputet demokrat, Flamur Noka, ndoqi të njejtën strategji të turpshme, duke sajuar një tjetër tender korruptiv sipas tij, të qeverisë shqiptare. Një gënjeshtër më shumë nga ato që po e bëjnë përherë e më qesharake Partinë Demokratike në sytë e opinionit publik.

Një parti e katandisur në çetë mashtruesish profesionistë që fyen inteligjencën e shqiptarëve, duke i servirur atyre çdo ditë të tilla mufka politike.

Shqiptarët nuk e meritojnë këtë teatër banal. Aq më pak një parti që nuk di, e as nuk do ta respektojë lirinë e sipërmarrjes si një vlerë themelore të ekonomisë së vendit, teksa sulmon e etiketon si hajdut çdo sipërmarrës që prej vitesh, qëkur PD ishte në pushtet, ka investuar në këtë vend.

E ndërsa PD do të vazhdojë me lojën “shpif shpif se diçka do të mbetet”, mazhoranca dhe qeveria do të investohen çdo ditë e më shumë te puna për njerëzit e zakonshëm, me njerëzit e zakonshëm, si e vetmja rrugë për t’i dhënë babale-partisë, përgjigjen e merituar.