Alarmi/ Duka: TAP po përfundon, me çfarë do zëvendësohet ky investim? Nevojë urgjente për investitorë të huaj

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka thotë se tashmë që punimet e gazsjellësit TAP po shkojnë drejtë përfundimit problemi që shtrohet është se me çfarë do të zëvendësohet ky investim, pa të cilin, sipas Dukës, rritja ekonomike e Shqipërisë do të nisë një rrokopujë të pashmangshme.

Në reagimin e tij në rrjetin social Facebook, Duka thotë se pavarësisht udhëkryqit të madh në të cilin gjendemi, debati kombëtarë mbahet peng nga ngjarjet dhe skandalet e ditës, të cilat, sipas tij, janë treguese të një paaftësie të frikshme për të prodhuar një mendim strategjik afatgjatë për të ardhmen e ekonomisë tonë.

Postimi i plotë i Agron Dukës

TAP po përfundon, po tani?

Gazsjellësi TransAdriatik (TAP) ka përfunduar 99 % të punës në Shqipëri.

Në total TAP do të ketë një gjatësi prej 878 kilometrash prej të cilave 550 kilometra janë në Greqi, 215 kilometra në Shqipëri, 105 kilometra në Detin Adriatik dhe 8 kilometra në Itali.

Investimi i plotë për ndërtimin e TAP në Shqipëri është 1,5 miliardë euro, duke u bërë kontribuuesi më i madh në stokun e Investimeve të Huaja Direkte (IHD).

Problemi që shtrohet në këtë moment është me çfarë do të zëvendësohet ky investim, pa të cilin rritja ekonomike e Shqipërisë do të nisë një rrokopujë të pashmangshme?

Tregu në Shqipëri është në tkurrje. Popullsia po ulet, rënia e popullsisë së bashku me rënien e fuqisë blerëse e bën tregun jo interesant duke shtyrë kompanitë e huaja të mos shohin mundësi për të investuar në ekonominë tonë.

Këtij alarmi për nevojën urgjente për tërheqjen e investimeve të huaja direkte e kanë ngritur edhe institucione ndërkombëtare si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Por pavarësisht udhëkryqit të madh në të cilin gjendemi, debati kombëtarë mbahet peng nga ngjarjet dhe skandalet e ditës, të cilat janë treguese të një paaftësie të frikshme për të prodhuar një mendim strategjik afatgjatë për të ardhmen e ekonomisë tonë..

Në prag të sezonit të ri politik, dhe peshën e rëndë e një të ardhmeje që duket e zymtë për sipërmarrjen dhe investimet, uroj që dilemat e Parlamentit mos të fokusohen tek mbijetesa politike deri në pushimet e ardhshme, por tek sfidat që duhet të përballojmë si shoqëri.