AKU inspektoi 2284 biznese gjatë verës, 50% me probleme

AKU, është termi më i përdorur këtë sezon në lajmet. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në vetëm tre muaj ka inspektuar mbi 2000 subjekte dhe raportet tregojnë se në 50% janë konstatuar problematike. Qeveria e përqëndroi punën e AKU gjatë muajve të verës pranë bregdetit dhe zonave liqenore që kanë aktivitet më të lartë të shërbimit ndaj turistëve dhe vizitorëve.

Përtej këtyre mangësive, inspektorët e AKU-së vlerësuan dhe vendosën mbylljen e 20 subjekteve, biznese që tregtojnë produkte të rëndësishme si buka, fast-food dhe piceri si dhe në sektorin e shërbimeve ndërprerje të aktiviteti të restorantëve.

Inspektori, Ledio Ilollari, thotë shkeljet e shpeshta të konstatura. ”Më së shumti në mangësi të kushteve higjeno-sanitare. Përfshirë dokumentacionin bazë, gjurmushmërinë, sistemin e vetë kontrollit, moria e masave që vetë operatori duhet të marrë që ti garantojë sigurinë ushqimore konsumatorit. Etiketimi është me shumë rëndësi apo evidentimi, asgjesimi dhe bllokimi i produkteve të pasigurta, atyre me afat të kaluar përdorimi”,-thotë Ilollari.

Janë bllokuar 1130 kg produkte pa etiketë dhe elementë të gjurmëshmërisë, janë gjobitur restorante që tregtonin Dateri si dhe janë të ndaluar subjekte që tregtonin vaj ulliri të falsifikuar.

”Nuk ka qene qëllimi i AKU-së as gjobitja dhe dëmtimi i operatorëve por tutela maksimale e konsumatorëve. Raste falsifikimi kur ka patur, produkte të skaduara, produkte edhe të ndaluara si rasti i restorantit në Ksamil që tregtonte Daterin që është i ndaluar”.

Por sa të sigurt janë konsumatorët? Policimi i “marketeve dhe tregjeve” më aktiv muajt e fundit ka konstatuar problematika të mëdha, por kontrollet duhet të jenë më të shpeshta. Gjithashtu inspektorët duhet të ndihmohen edhe nga qytetarët përmes denoncimeve në numrin jeshil, në emailin e AKU-së ose në rrjete sociale. ”Të bëjnë denoncime pranë AKU-së dhe institucioneve të tjera në rast se kemi të bëjmë me produkte të paligjshme”.