Kufijtë, Vetëvendosja: Protestat, opsion për ta ndalur Thaçin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka bërë të ditur që partia e tij është kategorikisht kundër ndarjes së Kosovës.

“Të gjitha të këqijat Kosovës i kanë ardhur të kamufluara me disa emra që nuk duken të rrezikshëm duke filluar prej decentralizimit që në fakt ka qenë ndarje në baza etnike e tek Asociacioni që në fakt është synuar autonomia dhe tash kemi korrigjimin e kufijve, i cili nuk paraqet asgjë tjetër përveç ndarje të Kosovës sipas projektit të Serbisë”, ka thënë Kurteshi për “Zërin”.

Ai po ashtu ka thënë se Thaçi po takohet në mënyrë private me Vuçiqin dhe assesi në emër të Kosovës. Sipas Kurteshit, korrigjim i kufijve nënkupton humbje të madhe për Kosovën.

“Korrigjimi i kufijve parasheh që Serbia të marrë edhe pjesën më të pasur të Kosovës dhe shumë të rëndësishme për vendin tonë, siç është Ujmani dhe ‘Trepça’, por edhe një territor shumë më të madh, i cili do të ishte ofruar eventualisht, por për këtë çështje nuk mund të bisedohet para se Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ka theksuar ai.

Ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje si mjet për ta ndalur Thaçin në bisedime ka paralajmëruar protesta në shtator të këtij viti, mirëpo ende nuk ka dhënë ndonjë datë se kur saktësisht do të mbahen ato