“Kufijtë”, Çollaku: S’mund të vendosë Thaçi për kombin, diplomacia shqiptare në gjumë

Korrigjimi apo shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë ka trazuar jo pak ujërat e diplomacisë dhe të politikës në të dyja anët e kufirit. Kreu i departamentit të politikës së jashtme të PD-së Kreshnik Çollaku i ftuar në Fax News ka dhënë një qasje më të zgjeruar të asaj që po ndodh pas deklaratës së presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

Çollaku u shpreh se formula e Thaçit është e gabuar, dhe nëse ndodh që të preken tokat e Kosovës, atëherë të ketë një bashkim kombëtar. Sipas tij sa kohë që Serbia po bashkon territoret e veta, pse kjo mos të bëhet dhe nga shqiptarët.

‘’Deri më sot nuk ka asnjë akt, është një fazë testimi dhe unë mendoj se zoti Thaçi po kërkon që të masë temperaturën. Metodologjia me të cilën e paraqiti ishte e gabuar. Të jemi të qartë nuk bëhet fjalë për korrigjim të territoreve, po për një shkëmbim.

Thuhet korigjim për ta zbutur situatën, zoti Thaçi thotë se është kundër ndarjes dhe kërkon që të përdorë bashkimin me Preshevën. Nga ajo që thotë zoti Thaçi duket se po negocion me Selinë e Shenjtë dhe jo me Serbinë.

Sigurisht që Serbia ka interesat e saj, kjo nuk është një tezë e re, nuk është Vuçiç i pari që e hedh në diskutim. Pretendimet e liderve serbë nuk janë vetëm disa komuna. Politika serbe po e mban çështjen e Kosovës si një armë rezervë.

Situata që po flasim sot është rrjedhojë e një konference të mbajtur rreth 100 vite më parë, ku fituesit e luftës së parë, që ishte Rusia i ndanë shqiptarët në disa shtete, vetëm e vetëm për të përmbushur orekset e Serbisë. Ne shqiptarët, te cfarëdo qeverisjeje kanë bërë një pakt, që bie ndesh me dëshirën e tyre që është bashkimi i të gjithë territoreve në një”, u shpreh Çollaku.

Ish-diplomati vijoi më tej duke thënë se pavarësia e Kosovës ka kaluar përmes kompromisit të madh që shqiptarët të jenë në disa shtete. Ai tha më tej se kjo nuk është një çështje që zgjidhet vetëm mes Kosovës dhe Serbisë dhe duhet një tryezë mbarëkombëtare.

Për Çollakun ka një ndryshim të qëndrimit të ndërkombëtarëve, falë meritës së diplomatëve serbë dhe lobimit të tyre, dhe përgjumjes nga ana e politikës shqiptare në të dyja anët e kufirit.

‘’Fati historik i kombit tonë ka qenë ndihma e padiskutueshme e SHBA-ve, që në NATO apo jo ndihmuan shqiptarët duke bombarduar Serbinë dhe duke ndryshuar pozicionet e deriatëhershme. Pavarësia e Kosovës kaloi në dy kompromise që ishte ai i ndërkombëtarëve, dhe sugjerimet e tyre, (u shmang konflikti që mund të tejkalonte dhe kufijtë e Ballkanit), u arrit që Kosova të mos bashkohej me Shqipërinë dhe të qëndronte si një shtet më vete.

Kishte dhe një kompromis të madh kombëtar që ka ndodhur mes vetë shqiptarëve, të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, për të arritur që shqiptarët e Kosovës të mund të jetonin të lirë, dhe zgjerimi i konflikteve jashtë Ballkanit. Politika e Shqipërisë deri para 5 vitesh ka pasur të njëjtën bosht, nën kërkesën e ndërkombëtarëve.

Çfarë ndodh tani? Po ju tregoj një rastin tim në Ëashington, ku ministri i mbrojtjes serbe më tha që ‘’ne merremi vesh me Tiranën, nuk kemi se çfarë të diskutojmë me Kosovën”, dhe përgjigja ime ishte që jo, Kosova është një shtet i pavarur dhe duhet që ti bëjë vetë diskutimet e saj. Nëse bëhet fjalë sot për ndarje të territoreve, atëherë do të duhet dhe ndërhyrja e Shqipërisë.

Nuk mund të ndryshojë kufijtë Kosova, pasi janë kufij kombëtar. Çështja është shumë e madhe dhe mendoj se palë të treta në këtë ide mund të ketë shumë, çështja sot është delikate. Për surprizën time ka një ndryshim qëndrimesh të ndërkombëtarëve, sot ka një qëndrim të DASH që për herë të parë propozonte një zgjidhje elastike dhe kreative.

Ka një deklaratë nga ana e Bolton që thoshte se çështjen duhet ta zgjidhin palët, kemi një deklaratë nga Komisioni Europian që thoshte se nuk ka formula dhe zgjidhja ofrohej nga dy shtetet, duke iu lënë dorë të lirë.

Ky ndryshim i qëndrimeve në arenën ndërkombëtarë është një sukses i diplomacisë serbe dhe një përgjumje e diplomacisë shqiptare në të dyja anët e kufirit. Palët thonë që në rast se shtetet merren vesh, i lënë më të pavarur. Halli është që SHBA-të mund ta lënë Kosovën që të vendosë vetë.

Unë kritikën kryesore për zotin Thaçi e kam që këtë çështje nuk mund ta kthesh si një teori konsiracioni, duhet një diskutim mbarëkombëtar, i hapur, me kamera apo pa kamera. Fakt është që situata në veri të Mitrovicës është jashtë kontrollit të palës shqiptare, dhe avancimet janë të pakta. Duhet një tryezë mbarëkombëtare. Është shumë lehtë për Serbinë që të ndezë tensionet në veri”, tha më tej Çollaku