Korrigjimi i kufijve, Duma: Rama fshihet pas xhaketës së Hahn

E ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, deputetja e PD-së, Grida Duma ka folur për debatet rreth korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për Samitin informal mes liderëve të Ballkanit. Duma u shpreh se Samiti informal ishte një dështim, pasi shumica e liderëve të vendeve të rëndësishme nuk merrnin pjesë.

”Takimi informal në Durrës ishte një dështim. Ishin rreth 17 të ftuar nga vendet e Ballkanit, nga të cilët ne pamë pjesëmarrës vetëm 6 apo 7. Nuk duhet të mungonte Serbia, Greqia, Kroacia. Samiti ka një qëllim kryesor dhe lidhet me atë që quhet integrimi ekonomik i rajonit. Më i sinqertë në këtë samit informal ishte fjala e kryeministrit Ramush Haradinaj. Hahn nuk ndaloi tek Shqipëria të thoshte kemi apo nuk kemi rritje të punësimit. Takimi informal duhet të kishte se paku një produkt”,-tha Duma.

Lidhur me debatet për korrigjimin e kufijve Kosovë-Serbi, deputetja u shpreh se Kryeministri Rama u fsheh pas xhaketës së komisionerit Hahn dje kur u pyet për këtë çështje. Sipas Grida Dumës, Kosova ka kufijtë e saj prej 20 vitesh.

”Debati për korrigjimin e kufijve është një ndër çështjet më delikate. Kosova i ka kufijtë e saj prej 20 vitesh. Kryeministri Rama fshihet pas xhaketës së Komisionerit Hahn, i cili përfaqëson Komisionin Evropian që nuk merret me çështjet politike. Hahn po mban qëndrim neutral në lidhje me korrigjimin e kufijve. Unë nuk kam parë askënd që të jetë pro marrëveshjes për kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë”,-tha Duma. /BW/