Juventus ka gati “bombën” e radhës, rrëmben Marcelon verën e ardhshme

Në Itali janë të bindur se Marcelo do t’i bashkohet Juventusit sezonin e ardhshëm. Cristiano Ronaldo e dëshiron me çdo kusht në Torino, dhe sipas të përditshmes, “Tuttosport” bardhezinjtë kanë gati strategjinë për të transferuar brazilianin.

Skuadra torineze provoi edhe gjatë kësaj vere, por nuk arriti që të bindte ekipin merengues. Verën e ardhshme, Juventusi do të bëjë një ofertë prej 50 milionë eurosh për ta bashkuar sërish Marcelon me Ronaldon.

Juventusi refuzoi shumë oferta të majme për Alex Sandron, sidomos një nga PSG që ishte gati të bënte çmenduri për futbollistin. Bardhezinjtë kanë sigurinë që do ta shesin atë në verën e ardhshme për rreth 80 milionë euro, ndaj kanë bërë gati një çek prej 50 milionë eurosh pasi janë të bindur se me këtë shifër madrilenët do të lënë të largohet 30-vjeçarin.

Marcelo vazhdon të komunikojë rregullisht me Cristiano Ronaldon dhe ky i fundit me sa duket e ka bindur që të pranojë ofertën e italianëve. Futbollisti brazilian pret t’i bashkohet në verën e ardhshme atij që e cilëson si një prej miqve më të ngushtë që ka pasur në karrierën e tij.