Dorëhiqet ministri i Mjedisit

Ministri francez i Mjedisit, Nicolas Hulot, një prej anëtarëve më popullorë të qeverisë “Macron”, ka dhënë dorëheqjen duke i sjellë kështu goditjen e parë të fortë kabinetit të kryeministrit Edouard Philippe, si dhe presidentit Emmanuel Macron.

“Nuk besoj më, mbeta krejt i vetëm”, mësohet të ketë thënë ai. Hulot është ankuar për hapat e vegjël të hedhur përpara në raport me klimën dhe temat mjedisore gjatë 14 muajve të qeverisjes, pavarësisht përpjekje të mëdha të tij. Dorëheqjen e paraqiti “live”, ndërsa fliste për Radion “France Inter”, ku sqaroi se nuk kishte paralajmëruar njeri për vendimin e tij.

Arsyet që citoi për këtë lëvizje të papritur të tij ishin dështimet e ekzekutivit për të zgjidhur problemet me pesticidet dhe biodiversitetin. Reagimi i qerverisë erdhi përmes zëdhënësit, Benjamin Griveaux, i cili shprehu keqardhje për këtë vendim dhe e vlerësoi lart punën e bërë nga 63-vjeçari gjatë këtyre muajve.