Spalletti është si De Boer, Interi më i keq i viteve të fundit

Interi i ka bërë një nisje skandaloze sezonit të ri, i cili priste që ta shihte si kundërshtarin kryesor të Juventusit në luftën për titullin kampion, pas dy ndeshjeve të para, vështirë të besosh në një mrekulli. Vetëm nën drejtimin Frank de Boer, zikaltërit e kishin nisur kaq keq. Fillimi i kampionatit tek Interi ka qenë shumë ndryshe nga ajo që tifozët prisnin. Shumë rrallë përgjatë historisë së tyre, zikaltrit kanë marrë vetëm 1 pikë në dy takimet e para të kampionatit. I fundit që e kishte bërë këtë gjë, ishte holandezi. Para kësaj, nuk ishte parë në shtëpinë zikaltër një nisje kaq e dobët. Dy vite më parë, pas humbjes 2-0 me Chievon në “Bentegodi”, De Boer shpëtoi nga turpi vetëm falë Icardit, i cili realizoi golin e barazimit ndaj Palermos. Por më pas erdhi fitorja me përmbysje ndaj Juventusit, e cila risolli buzëqeshjen, e kjo zgjati të paktën deri në nëntor, atëherë kur rezultatet e teknikut holandez nuk mund të pranoheshin më.

7 humbje në 14 ndeshje, do t’i detyronin drejtuesit e lartë ta shkarkonin dhe ta zëvendësonin me Piolin. Para De Boer ishte edhe Gasperini, trajneri aktual i Atalantës. Në sezonin 2011-2012, edhe pse drejtonte një skuadër ku luanin shumë emra të “Tripletës” së famshme, e nisi me humbjen 4-3 në Palermo. Atëherë kampionati nisi me javën e dytë, pasi e para nuk u luajt për shkak të grevës së futbollistëve. Më pas erdhi barazimi në “San Siro” me Romën, e pastaj humbja e rëndë ndaj Novarës me rezultatin 3-1. Gasperini shpëtohet nga fakti se ndeshja e hapëse me Lecce-n, u fitua në dhjetor, por nën drejtimin e Ranieri-t. Por tifozët e Interit e dinë se në 35 vitet e fundit kanë parë edhe më keq. Në sezonin 1983-1984, skuadra e drejtuar nga Radice e nisi me dy humbje përballë Sampdorias dhe Lazio-s, ku pësoi 5 gola dhe shënoi vetëm një.

Por, emra si Altobelli, Bergomi, Beppe Baresi, Marini dhe Beccalossi e mbajtën të bashkuar skuadrën përreth trajnerit dhe ai nuk u shkarkua. Interi nisi të fitonte dhe të ngjiste shkallët e klasifikimit, por Juventusi dhe Roma ishin para në garë. Në atë sezon, zikaltrit u renditën të katërtit dhe morën pjesë në Kupën UEFA. Tifozët e Interit shpresojnë që Spalleti të gjejë rrugën e duhur për të marrë më të mirën e blerjeve të reja, të cilët kanë treguar shumë pak në këto dy ndeshje të para.

Në fundjavë De Vrij gjeti golin e parë, Politano është në hije, Vrsaljko debutoi me një pjesë të parë të mirë dhe në të dytën ku humbi në fushë. Çfarë mund të thuash për Nainggolan? Belgu duket më i përkushtuar për diskoteka se sa për të gjetur formën më të mirë për të ndihmuar ekipin, ndërkohë që Lautero Martinez luajti vetëm 3 minuta në ndeshjen e dytë, duke mos qenë një zgjedhje e parë për Spalletin.