Kryeministri Haradinaj: “Nuk lejojmë ndryshim kufijsh”. BE frikësohet nga efekti domino

Forumi i kryeministrave të rajonit në Durrës ka shërbyer dhe si një test për qëndrimin që vendet fqinje mbajnë ndaj idesë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse forumi ku merr pjesë Komisioneri i BE, Johannes Hahn ka në qendër ekonominë, “bomba” që kanë plasur Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç është e pashmangshme në çdo tryezë rajonale dhe ndërkombëtare. Kryeministrja e Serbisë, Ana Barbiç, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov, për arsye të ndryshme nuk ishin pjesë e takimit. Janë tre mungesa që megjithë arsyet zyrtare flasin për një klimë të re që ka prodhuar në rajon ideja rishikimit të kufijve.

Ndërkohë në konferencën e përbashkët për shtyp, gazetarët më shumë se për ekonominë, pyetjet kryesore i kishin për qëndrimet që ka BE dhe shtetet e rajonit për shkëmbimin apo ndarjen e territoreve në Ballkan.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ishte më i qartë dhe pa nënkuptime diplomatike kur deklaroi se kufijtë e Kosovës nuk lëvizin. Ai deklaroi se kufijtë janë vendosur me kohë dhe shtetet e rajonit duhet vetëm t’i respektojnë ato.

“Dua të them diçka për kufijtë se është folur shumë këto kohë. Kosova i ka kufijtë e vetë, i ka me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë… Nuk mendoj se duhet ndonjë kreativitet i ri për dizenjimin e tyre, por duhet ti respektojmë këta kufij”,- tha ndër të tjera kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Pra presidenti kosovar Thaçi thotë dhe vazhdon në tijën se do ti ndryshojë kufinjtë, ndërsa kryeministri Haradinaj deklaron prerë:JO!

I pyetur për qëndrimin e BE lidhur me shkëmbimin e territoreve, Komisioneri për Zgjerimin në BE, Johanes Hahn deklaroi se nuk do të bënte asnjë koment mbi idenë e ndarjes së kufijve, për sa kohë që Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç janë në negociata. Takimi i radhës i dy presidentëve është më 7 shtator dhe Hahn, me diplomaci, iu shmang përdorimit të termave për kufijtë. “Nuk është e përshtatshme të bëjmë komente për negociatat. Takimi i ardhshëm në Bruksel nuk do të jetë i fundit. Ju lutem kuptoni që nuk mund të flasim në këtë fazë”,- tha Hahn lidhur me debatin e kufijve.

Megjithatë në mesazhin e zyrtarit të lartë të BE për rajonin, kishte dy qëndrime që përcaktojnë dhe vijat e kuqe të Brukselit. Nga ajo që tha Hahn, vija e parë e kuqe është se në BE nuk pranohen vende me probleme territoriale. Ndërsa kushti i dytë i BE është që marrëveshja nuk duhet të cenojë stabilitetin e rajon. Të dyja këto qëndrime të prezantuara nga komisioneri Johanes Hanhn, përfaqësojnë shqetësimin e gjithë rajonit dhe BE. Një marrëveshje Kosovë-Serbi, siç po deklaron se do të bëjë Thaçi dhe Vuçiç, rezulton të jetë një bombë për stabilitetin e Ballkanit. Shkëmbimi i territoreve Kosovë-Serbi hap lojën e konflikteve në Bosnje, ku serbët do të kërkojnë bashkimin në Serbinë e Madhe. Ndërsa më pas vijon Maqedoni, Mali i Zi dhe vendet e tjera. Edhe në Maqedoni mezi po presin shqiptarët të bashkohen me Shqipërinë. Po kështu ka filluar lëvizja edhe në Ulqin, Plavë e Guci në Mal të Zi për t’u bashkuar me Shqipërinë. Edhe Greqia ka probleme me Maqedoninë, edhe Bullgari kërkon paksa pjesë nga Maqedonia. Edhe Kroacia. Por Kroacia dhe Serbia kanë ushtri të fortë dhe çdo përballje mes tyre do të krijonte front lufte.

Po filloi nuk ndalon në Ballkan!

Nëse ka një marrëveshje, një akt që stabilitetin e rajonit dhe e hedh në luftë Ballkanin dhe gjithë BE, është pikërisht ajo që kanë në mendje Vuçiç dhe Thaçi. Është një projekt që kancelarja Angela Merkel e ka denoncuar e para duke dalë kundër ideve të tilla. Ndërkohë në jo pak vende të BE, ka një qëndrim jo shumë të qartë mbi idenë e territoreve. Pyetja që ju bë Johannes Hann ishte nëse Komisioneri “mbështesë apo jo ndarjen e Kufijve?” dhe kur Merkel thotë jo, burokratët e BE nuk kanë pse bëjnë stërhollime diplomatike për gjëra kaq të rëndësishme.

Komisioneri Hahn ia bëri si ajo barcelata popullore ku thuhet se kur një femër donte të shkonte me shefin u thotë shoqeve” Qejfi ma ka, por bytha nuk ma mba!”.

Deklarata e komisionerit Han, kryeministrit Rama dhe kryeministrit Haradinaj në forumin informal të Durrësit:

Pyetje nga gazetarët: Kam një pyetje për komisionerin Hahn. Në 7 shtator është caktuar që në Bruksel të zhvillohet takimi i radhës midis presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Aleksandër Vuçiç ku pritet të diskutohet për një marrëveshje finale, por në këto kohë po diskutohet gjithashtu dhe për korrigjimin e kufijve siç ka dhënë një ide dhe presidenti i Kosovës Thaci, gjithashtu është thënë edhe për shkëmbim territoresh me Serbinë. Zoti Hahn, a e mbështesni ju korrigjimin e kufijve me Serbinë apo shkëmbimin e territoreve. Cila është ideja më e pranueshme apo Kosova duhet të arrijë marrëveshje me Serbinë, me këta kufij të cilët ka shpallur pavarësinë.

Dhe për ju zoti Rama, sigurisht që e keni përcjellë këtë debat për shkëmbim territoresh dhe korrigjim të kufijve, cili është komenti juaj?

Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn: Unë mendoj se nuk është e përshtatshme në këtë fazë që të bëjmë komente lidhur me diskutimet dhe negociata në vazhdim. Presupozohet se takimi javën e ardhshme në Bruksel nuk do të jetë takimi i fundit. Do të jetë një tjetër takim dhe sigurisht do të kërkojë kohë që të gjendet një marrëveshje. E për rrjedhojë, ju lutem, kuptoni që nuk jam i gatshëm të bëj asnjë koment përveç atij që sigurisht, siç u shqiptua, siç është parashtruar në strategjinë tonë të Ballkanit Perëndimor, ne nuk do të pranojmë asnjë anëtar të ri nëse nuk janë të zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe. E dyta, ajo çfarë ka vlerë për ne është stabiliteti në rajon, në të gjithë rajonin dhe duhet të mbajmë parasysh se çdo lloj marrëveshjeje dypalëshe nuk duhet të rrezikojë stabilitetin e përgjithshëm të rajonit, por duhet të jetë krejt e kundërta, duhet të kontribuojë për më shumë stabilitet në rajon dhe cilido të jetë objektivi përfundimtar, ky duhet të jetë objektivi kyç. Sa më shumë stabilitet në të gjithë rajonin, duke zgjidhur mirëfilli konfliktet dypalëshe.

Kryeministri Edi Rama: Përkthejeni këtë dhe keni edhe nënshkrimin tim të fjalës që sapo tha komisioneri.

***

Kryeministri Edi Rama: Tani po ja kaloj fjalën bashkëzotit të shtëpisë, Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj: Faleminderit Edi! Faleminderit për organizimin e takimit informal të kryeministrave për integrimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Më vjen mirë që sot jemi bashkë edhe komisionerin Hahn, me kolegun tonë Dushko Markovic, kryeministrin e Malit të Zi, si dhe me Presidentin e BERZH Suma Chakrabarti që është një partner shumë i rëndësishëm i vendeve tona dhe i ekonomive tona, njëkohësisht me të gjithë pjesëmarrësit e tjerë që me shumë seriozitet po e kryejnë pjesën e vet për të ndihmuar njehsimin ekonomik,  pra për të qënë një treg dhe një rajon për investime, në vendet e BP.  Në këtë rast mund të flasim për infrastrukturën rrugore, jemi pak me vonesë me hekurudhat, por mund t’ju them se jemi po ashtu në proces të kycjes në roaming, pra dixhitalizimin dhe nënshkrimin e protokolleve të tjera. Kuptohet, ne kemi disa vështirësi, të cilat dallohen nga vendet e tjera. Është liria e lëvizjes. Falënderoj komisionerin Hahn që e përmendi liberalizimin e vizave. Ne kemi ende vështirësi në qarkullim të lirë kur kalojmë në Serbi. Qytetarët tanë presin me orë të tëra, qoftë në vajtje e qoftë në kthim, pastaj kemi vështirësi në qarkullim ose nuk mund të shkojmë në Bosnje. Njëkohësisht për të komunikuar me Kroacinë na duhen viza, sepse është vend i BE. Pra, këto e bëjnë jetën tonë ekonomike më të vështirë. Ajo që kemi më lehtë dhe besoj që do ta avancojmë në nivelin e duhur është marrëdhënia jonë, dy ekonomitë, Kosovë-Shqipëri. Ashtu si kemi rënë dakord me ju Edi, në gjysmën e dytë të nëntorit do të kemi takimin përbashkët të dy qeverive në Pejë dhe besoj se do t’i finalizojmë të gjitha procedurat e mbetura për ne. Heqjen e burokracive doganore të cilat i vonojnë edhe qytetarët, por edhe ekonominë dhe sipërmarrësit. Po ndalem me kaq. Ju faleminderit!

Desha të shtoj diçka për kufijtë që po flitet këto ditë. Kosova i ka kufijtë e vet, i ka me Shqipërinë, i ka me Malin e Zi, i ka me Maqedoninë, i ka me Serbinë. Ne i respektojmë këto kufij dhe nuk mendojmë se duhet ndonjë kreativitet i ri në dizajnim të tyre, por duhet t’i respektojmë kufijtë që kemi.