Duka: Qeveria të ulë shpenzimet e luksit jo buxhetin e Bujqësisë

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka thotë se prej pesë vitesh, që kur mazhoranca aktuale ka ardhur në pushtet, situata e bujqësinë në vend është po e njëjta.

Duka shprehet se uji për vaditje mungon, tokat bujqësore përmbyten, çmimi i naftës për fermerët nuk ka ndryshuar, TVSH-ja mbi imputet bujqësore po ashtu, dhe sikur mos të mjaftonin këto, kreu i PAA-së, shton se qeveria ka vendosur të ul buxhetin për Ministrinë e Bujqësisë.

”Për vitin e ardhshëm, financimi për bujqësinë do të ulet në 0.53 për qind e prodhimit kombëtar, ndërsa në vitin 2021 ai do të zbresë edhe më, në 0.48 për qind e PBB-së”, shkruan Duka në rrjetin social facebook.

Postimi i plotë i Agron Dukës

Një vend bujqësor pa bujqësi!

5 vite më parë, me këtë mesazh elektoral, mazhoranca aktuale përshkruante gjendjen e bujqësisë; 5 vite më pas asgjë nuk ka ndryshuar. Uji për vaditje mungon, tokat bujqësore përmbyten, nafta me të cilën furnizohet një traktor në Lushnje paguhet me të njëjtin çmim me të cilën furnizohet një Benz në Tiranë, fermerët paguajnë TVSH-në mbi imputet bujqësore, madje 3 vitet në vijim do të jenë edhe më të vështira për këtë sektor. Qeveria ka vendosur që buxheti për Ministrinë e Bujqësisë të ulet vit pas viti, duke zbritur nën 0.5 për qind e prodhimit kombëtar.

Për vitin e ardhshëm, financimi për bujqësinë do të ulet në 0.53 për qind e prodhimit kombëtar, ndërsa në vitin 2021 ai do të zbresë edhe më, në 0.48 për qind e PBB-së.

Aktualisht bujqësia është sektori që siguron pjesën më të madhe të punësimit në shkallë kombëtare, duke punësuar gati gjysmën e popullsisë. Paralelisht prodhimi që vjen nga bujqësia përbën rreth 20 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.

Një qasje dritëshkurtër, që do të ndikojë në braktisjen e sektorit të bujqësisë dhe do të thellojë varfërinë në zonat rurale.

Nëse kërkoni të ulni shpenzimet buxhetore, ju sugjeroj të nisni me shpenzimet e luksit, udhëtimet me avionë dhe helikopterë, jo me një nga sektorët më jetik të ekonomisë shqiptare!