Chelsea këmbëngul, Presidenti rus Roman Abramovich nuk e shet klubin

Të dielën u publikua një lajm i bujshëm në mediat angleze, sipas të cilit Roman Abramovich po mendon të shesë Chelsea-n dhe ka punësuar edhe konsulentë financiarë për të nxjerrë vlerën reale të klubit londinez.

Sipas “The Sunday Times”, gjithçka lidhet me problemet që ka hasur miliarderi rus kohët e fundit, duke mos marrë dot vizën e punës në Britaninë e Madhe, për shkak të problemeve politike mes Rusisë e Britanisë.

Abramovich e bleu Chelsea-n në vitin 2003 dhe tashmë po studion mundësinë e shitjes së klubit, për të ndërprerë lidhjet me futbollin anglez, ku investon prej vitesh dhe ka ndërtuar një klub elitar, që ka fituar edhe Champions League.

Në qershor grupi financiar amerikan Silver Lake Partners bëri një ofertë për një pjesë të aksioneve, por Abramovich refuzoi, ndërsa tashmë dalin zëra të rinj, duke marrë shkak edhe nga fakti që është pezulluar totalisht plani për ndërtimin e një stadiumi të ri në Stamford Bridge, me vlerë 1 miliard sterlina.

Në verë qarkulloi edhe lajmi se njeriu më i pasur në Britani, Sir Jim Ratcliffe, ofroi 2 miliardë sterlina për Chelsea-n, por oferta u refuzua, ndërsa tani klubi mohon prerë spekulimet, duke sqaruar se Abramovich nuk ka asnjë plan për shitjen e klubit. Prej kohësh oligarku rus nuk po shfaqet në Stamford Bridge dhe nuk ishte i pranishëm as në finalen e Kupës FA, ku Chelsea triumfoi në fund të sezonit të shkuar, por gjithsesi për momentin klubi nuk preket, edhe pse raportohet se një ofertë prej të paktën 2.5 miliardë sterlinash do t’ia ndryshonte mendjen.