Çani rikthehet në Seria C dhe kujton Gattuson: Njeri i rrallë, t’i thotë gjërat në sy! (VIDEO)

Ish-sulmuesi i Partizanit dhe Kombëtares, Edgar Çani, ka firmosur kontratën e re me skuadrën e Vibonezes në Itali, në Serinë C. Klubi italian e ka bërë të ditur lajmin me anë të faqes zyrtare në facebook, ku ka postuar edhe foto nga momenti i firmës dhe prezantimit të futbollistit shqiptar si dhe një video nga momenti i prezantimit të tij. Çani kthehet kështu në Itali, pas një sezoni të dështuar te Partizani, ku nuk arriti të linte gjurmë, pasi më shumë qëndroi jashtë fushës së blertë për shkak dëmtimi.

I pyetur në konferencën për mediat për Gattuson, një trajner me të cilën ai ka punuar më parë, si dhe për ngjashmëritë në lojë me Mandzukic, ai u përgjigj: “Mendoj se ky konstatim qëndron. Me Gattuson kemi punuar dy vite te Pisa, kemi kaluar momente të rëndësishme, të cilat do t’i mbaj mend. Një ndër trajnerët më të mirë që kam pasur në karrierë. Atë që ai më ka transmetuar në dy vite, do të më shërbejë.

Një personazh me një personalitet të fortë, i cili ka fituar Kupën e Botës. Gjithsesi përveç faktit se është një trajner dhe një ish-lojtar, ai është një njeri që t’i thotë gjërat në sy, në këtë botë, të rrallë janë njerëzit që e bëjnë një gjë të tillë. Kam mësuar shumë nga ai’, deklaroi Çani. /Koha Jonë/