Audiopërgjimi, Vasili: Arta Marku ”po vuan” veprat penale të Ramës

Kreu i grupit parlamentar i LSI-së, Petrit Vasili, hedh akuza të forta ndaj Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku. Vasili thotë se Marku ka marrë përsipër të ti vuajë vetë veprat penale të Ramës.

Kreu i grupit parlamentar i LSI-së, e lidh këtë akuzë me heshtjen e këtij institucioni ndaj çështjes së audiopërgjimit që përfshin vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

”Drejtësi horrash: Arta Marku fle mbi padinë ndaj kryeministrit për audiopërgjimin. Në Shqipëri mbretëron drejtësia e horrave. Batakçiu, që drejton qeverinë, thërret e bërtet si histerik për të ashtuquajturën, drejtësinë e re që po ngrihet dhe po ngre vetë ai. Po cila drejtësi e re po ngrihet”,-shkruan Vasili.

Shkrimi i plotë i Petrit Vasilit

Drejtësi horrash: Arta Marku fle mbi padinë ndaj kryeministrit për audiopërgjimin. Në Shqipëri mbretëron drejtësia e horrave. Batakçiu, që drejton qeverinë, thërret e bërtet si histerik për të ashtuquajturën, drejtësinë e re që po ngrihet dhe po ngre vetë ai. Po cila drejtësi e re po ngrihet?

Ajo më e poshtra. Ajo më e liga. Ajo më e njëanshmja. Ajo që mbron kryeministrin dhe burgos njeriun e thjeshtë për 30 mijë lekë korrent të papaguar. Drejtësia e re apo ndryshe drejtësia e horrave fle mbi dosjen e kryeministrit të paditur si kryemashtrues shtetëror për audiopërgjimin e vëllait të ministrit të Brendshëm.

Arta Marku është përbetuar me sa duket, që veprat penale të kryeministrit ti marrë përsipër dhe ti vuajë vetë. Aferim…Për opinionin dhe jo për Arta Markun po ju sjell përsëri deklaratën mashtruese të kryeministrit për ekspertizën e audiopërgjimit, ja çfarë thoshte që në 19 maj:

“Unë e kam marrë mbrëmë përgjigjen e analizës shkencore, të kryer në një nga laboratorët më seriozë të botës. Nuk jemi absolutisht përpara asnjë lloj prove kompromentuese për ministrin e Brendshëm, por përpara një akti mashtrimi të opinionit publik dhe atij ndërkombëtar me një material jo autentik”, tha Rama gjatë mbledhjes së grupit më 19 maj.

Sot e kësaj dite qytetarët e dinë që s’ka një ekspertizë, ndërkohë që kryemashtruesi gjoja e kishte bërë që në 19 maj dhe megjithatë nuk i hyn një gjemb në këmbë dhe prokurorja rri e vështron. Drejtësia, që mbyll sytë dhe veshët përpara fajit sa një mal është përfundimisht: një Drejtësi horrash.

/Koha Jonë/