Thaçi vijon me të vetën: Korrigjimi i kufijve nuk e destabilizon rajonin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një konference për shtyp që sapo u mbajt në samitin e liderëve rajonalë e europianë në Alpbach të Austrisë, tha se korrigjimi i kufijve nuk e destabilizon rajonin. Marrëvshja mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet ta frikësojë askënd e as korrigjimi i kufijve, tha presidenti.

Ndryshe Thaçi u shpreh se faza finale e dialogut me Serbinë është e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor dhe shumë e rëndësishme për të dyja shtetet.

“Në këtë aspekt ne kemi vështirësi në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Jemi në fazën finale të procesit dhe kemi nevojë për mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së dhe nga shtetet e tjera, që të arrijmë një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pa këtë marrëveshje asnjëri shtet nuk do të bëj progres në rrugën drejt BE-së. Benificonet nëse arrihet marrëveshja janë të mëdha, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për BE-në”, tha fillimisht presidenti Thaçi.

Po ashtu, presidenti i Austrisë, mbrëmë ka pohuar se faza përfundimtare e dialogut Kosovë-Serbi duhet të përmbyllet brenda vitit.

Deklarata pro ndryshimit të kufijve kanë ardhur edhe nga kabineti i Donald Trump, këshilltari i tij, John Balton, ka theksuar se SHBA nuk do të jetë pengesë e marrëveshjes Kosovë-Serbi në rast se palët merren vesh edhe për shkëmbim të territorit. /Express