Shqipëria foli, por Hashim Thaçi nuk ha pykë

Tirana , Albania - April 17: Ditmir Bushati, Foreign Minister of Albania, adresses the press on April 17, 2017 in Tirana , Albania. (Photo by Michael Gottschalk/Photothek via Getty Images)

Më në fund qeveria shqiptare foli për çështjen e rishikimit të kufirit. Në kulmin e debatit për pazarin Thaçi-Vuçiç, ku po flitet për marrjen e Luginës së Preshevës (një pjesë) dhe faljen palës serbe të liqenit të Ujmanit, Trepçës dhe pjesës veriore të Mitrovicës historike kombëtare, këtë të shtunë ka folur Ditmir Bushati, ministri shqiptar për Europën dhe Punët e Jashtme. Kishte dhënë disa shenja mosdakordsie me Thaçi-Vuçiç, këto ditë, por si dje nuk kishte asnjë zyrtar shqiptar që mund të ishte kaq i qartë, stoik dhe njëkohësisht vizionar. Edhe kombëtar, patriot. Natyrisht pas sinjaleve nga Berlini, kryeministri Rama ka nxjerrë ministrin e tij të deklarohet hapur se nuk jemi dakort me rishikim kufinjsh.

Ministri Bushati flet se është kundër ndarjes apo siç e pagëzon Thaçi, “rishikimit të kufijve”. Bushati thotë se “Nuk kemi pse shpenzojmë energji me mënyrën se si do të kompensohet Serbia në këmbim të njohjes së Kosovës, apo se si do të rehabilitohet ajo në rajon. Jo. Për Shqipërinë dhe aleatët e Kosovës, statusi i Kosovës është çështje e mbyllur dhe pavarësia e saj e pakthyeshme. Prandaj duhet të mbështetemi tek ato parime themelore që sigurojnë paqen dhe stabilitetin demokratik në rajon. Vështruar në këtë prizëm, statusi i Kosovës nuk mund të rihapet as në format dypalësh e as shumëpalësh. E aq më tepër të bëhet objekt krahasimi me raste të tjera të kthyera në “konflikte të ngrira”, si pasojë e tolerimit të “parimit të rivendosjes”, çka do t’i dhuronte mundësinë për depërtim aktorëve të tretë në Kosovë dhe rajon. Statusi i Kosovës është konfirmuar që me “Parimet Udhëzuese” të Grupit të Kontaktit, kur katër nga pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përkatësisht SHBA, Francë, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia, bashkë me Gjermaninë dhe Italinë parashtruan qartësisht se Kosova “duhet të mbetet multietnike dhe zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për popullin e Kosovës”. Po në këtë dokument u sanksionua gjithashtu se “nuk do të ketë kthim të Kosovës në situatën para vitit 1999, asnjë ndarje dhe as bashkim me ndonjë vend tjetër”. Në vijim, sovraniteti i Kosovës është konfirmuar në parimet bazë të “Planit Ahtisaari”, me shpalljen e pavarësisë në 2008-n dhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e konsideroi pavarësinë e Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Duke vazhduar përsëri në lidhje me këto bisedime ai vazhdon: “Në këtë prizëm, inkurajojmë vijimin e procesit të dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme që respekton tërësinë territoriale të Kosovës, formën unitare të shtetit, karakterin multietnik dhe multikonfesional, siç parashihet në Kushtetutën e Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, në pajtim me detyrimet që ka Serbia dhe në përputhje me normat ndërkombëtare dhe të drejtën europiane”.

Duke iu rikthyer tezës se presidentit kosovar Hashim Thaçi për Luginën e Preshevës, ai thekson se duhet të kërkojmë që Serbia të zbatojë dhe realizojë të njëjtat të drejta për shqiptarët e Luginës së Preveshës, siç kanë serbët në Kosovë.

Qëndrimi i ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme paraqet linjën zyrtare të Qeverisë shqiptare në lidhje me negociatat Serbi-Kosovë. Në javën e parë të shtatorit Vuçiç dhe Thaçi kanë deklaruar se do të ulen të bisedojnë pikërisht për ndarjen apo rishikimin e kufijve. Deklaratat e Bushatit vijnë në momentin e duhur duke larguar çdo paqartësi që kishte krijuar deri më sot heshtja institucionale e Tiranës zyrtare. Linja e diplomacisë shqiptare është në të njëjtën gjatësi vale me atë çfarë ka deklaruar një javë më parë kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila theksoi se çështja e kufijve në Ballkan është e mbyllur. Pra ministri shqiptar Bushati është kaq i qartë dhe vizionar kur flet pazaret Thaçi-Vuçiç, sa duhet realisht që kjo të jetë dhe linja politike në Kosovë. Jemi dy shtete të pavarura, por jemi një Komb dhe çdo centimetër tokë është edhe e kosovarëve, edhe shqiptarëve të Shqipërisë.

Ndërkohë Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç po marrin pjesë në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë. Ata janë të vendosur për të ecur në udhën e tyre. “Ne jemi të vendosur të eksplorojmë çdo opsion, duke përfshirë edhe korrigjimin e kufijve, në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje”, tha Thaçi. Kurse Presidenti serb Vuçiç shtoi se “Na e lini ta zgjidhim vetë. Nuk do të lejoj askënd të ndërhyjë. Po i kërkoja Hahn, të mbështeste dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Unë dhe Thaçi nuk e pëlqejmë njëri-tjetrin, por duhet të flasim për të arritur një marrëveshje. Ne nuk e dimë ku janë kufijtë tani. Doni të gjejmë zgjidhje apo të vazhdojmë kështu siç jemi?”.

Pra Thaçi-Vuçiç kërkojnë nga të huajt se “na lini rehat se e zgjidhim bashkë!”. Por çfarë do të ndajnë këta dy?! Kaq idiotë i quani serbët sa do të japin zonat shqiptare në Serbi dhe vetë të mos marrin asgjë!

Ndërkohë Gjermania dhe Britania e Madhe janë kategorikisht kundër rishikimit të kufinjve në Ballkan, pasi e dijnë se lufta rri në prag.