Interi me “dy fytyra”, ndalet edhe nga Torino në javën e dytë (VIDEO)

Interi nuk ka shkuar më shumë se një barazim 2-2 në ndeshjen e dytë në kampionat, duke zhgënjyer sërish tifozët zikaltër, këtë herë në “San Siro”. Ndeshja nisi mjaft mirë për ekipin e Spalletit, të cilët gjetën rrugën e rrjetës që në minutën e 7-të me Perisic, i cili shfrytëzoi një pasim mjaft të mirë të Icardit. Interi dominon në fraksionin e parë, teksa në minutën e 32-të de Vrij gjen golin e parë me fanellën zikaltër.

U duk se ndeshja do të ishte si një shëtitje në fraksionin e dytë, por Torino tregoi grintë, duke gjetur golin që hapi ndeshjen në minutën e 55-të me Belottin. Goli i dha më shumë zemër torinezëve, të cilët u hodhën në sulm në kërkim të golit të barazimit, i cili u shënua nga Meite në minutën e 68-të.

Interi kërkoi të rigjente avantazhin, por rrezikoi që të pësonte edhe një tjetër gol, i cili u shmang nga reflekset e portierit Handanovic. Në minutën e dytë shtesë, Sirigu shpëtoi Torinon nga një gol i sigurt, pasi Perisic goditi fortë në hyrje të zonës. Interi në këtë mënyrë merr pikën e parë në kampionat pas humbjes ndaj Sassuolos.

Në ndeshjet e tjera Fiorentina mori një fitore tenistike 6-1 ndaj Chievos, Genoa fitoi ndaj Empolit 2-1, ndërkohë që Udinese mundi 1-0 Sampdorian. /Koha Jonë/