Debati për kufirin, Mustafa: Thaçi me këndesat e tij s’e keqpërdorin dot emrin e Rugovës!

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka hedhur poshtë me rreptësi, abuzimin me emrin e Ibrahim Rugovës nga Presidenti aktual Hashim Thaçi lidhur me çështjen e korrigjimit të kufijve.

Në një postim në Facebook, Mustafa tha:

“E kanë gabim dhe me prapavijë të keqe ata që tentojnë të manipulojnë me intervistat dhe deklaratat e Presidentit Rugova të para 25 vjetëve.  Rugova ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm historik në pavarësimin e Kosovës, ka shtruar ide dhe koncepte në periudha të ndjeshme kohore, jo vetëm për Kosovën por edhe për të ardhmen e shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Ndërkaq, Kosova ka përmbyllur të gjitha çështjet e hapura me aktin e shpalljes së pavarësisë duke vulosur kontributin e Presidentit Rugova, të UÇK-së dhe aleatëve tanë ndërkombëtar.

Askush nuk ka të drejtë ta keqpërdorë emrin e Presidentit Ibrahim Rugova për të vënë në pyetje integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, as Presidenti Thaçi dhe as këndesat e tij.”