Vasili: Shqipëria e para për kokainë dhe për kryeministër të çmendur

Referuar raportit të ”The Economist” se Shqipëria është e para në botë për konsumimin e kokainës, Petrit Vasili, thotë se qeveria gëzon. Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, shkruan se Rama nuk e konteston artikullin, pasi aty thuhet shqeto se “Shqipëria është e para për kokainën…  Kryeministri nuk mërzitet për këtë, bile gëzon shumë se kokainën që u shet ai përdorin shqiptarët. Prandaj nuk e konteston artikullin”,-shkruan Vasili.

Më tej, Vasili thekson se jemi të parët në botë edhe për pasjen e një kryeministri të çmendur, pasi qesh kur i thonë se 60% e të rinjve duan të largohen nga ky vend.

Postimi i plotë i Petrit Vasilit:

Shqipëria e para për kokainën, e para për kapjen e drejtësisë dhe e para për kryeministrin e çmendur. Shqipëria është e para për kokainën. “The Economist” e thotë qartë. Kryeministri nuk mërzitet për këtë, bile gëzon shumë se kokainën që u shet ai përdorin shqiptarët. Prandaj nuk e konteston artikullin.

Shqipëria është e para edhe për kapjen e drejtësisë, fillim e mbarim nga kryeministri, dhe ”Washington Times” dhe jo vetëm ajo e thonë shqeto. Këtë e konteston kryeministri, se këtu ka hallin e madh se e di mirë që drejtësia vonon por nuk harron…dhe nuk do të harrojë çfarëdo që të bëjë ai.

Shqipëria është e para edhe për pasjen e një kryeministri të çmendur. I çmendur, se i duket sikur udhëheq botën, i çmendur se tallet me urinë e shqiptarëve, i çmendur se qesh kur i thonë që 60% e të rinjve duan të largohen nga ky vend, i çmendur kur zgërdhihet se 53% e shqiptarëve duan të ikin, i çmendur se duartroket kur kriminelët rrëmbejnë paratë publike dhe zaptojnë zyrat e shtetit, i çmendur se është gati të shesë edhe Shqipërinë, edhe Kosovën.