Shkolla gërmadhë me 5 nxënës

Vetëm katër mure dhe pa tavan, një gërmadhë përdoret prej 5 vitesh për të mësuar 5 fëmijët e fshatit Vëndresh Mal, në Skrapar.

Në këtë fshat nuk ka rrugë dhe për të shkuar ecet në këmbë. Por, kjo nuk e ka penguar Borsianin, 28-vjeçarin mësues në këtë fshat. Borsiani ka qenë emigrant në Suedi, por është kthyer sepse ka krijuar familje. Prej disa vitesh është mësues i 5 nxënësve të shkollës gërmadhë e cila ka edhe emër. Quhet shkolla “Ferit Begu”.

Blerina në këtë shkollë mbaroi klasën e nëntë dhe do shkojë në gjimnaz në Berat sepse në fshatin e saj në majë të malit nuk ka shkollë të mesme.

“Ka qenë shumë e vështirë sepse këtu ishte shumë ftohtë, binte shi, binte borë, çatia ka qenë gjysmë e zbuluar dhe ne mundoheshim të mbroheshim nga shiu, por njëkohësisht edhe të mësonim”, thotë Blerina.

Dëshira e Blerinës është që të arsimohet dhe si shumë moshatarë edhe ajo ka në plan ta braktisë vendin e lindjes: “Dua që të vazhdoj shkollën e mesme, më pas studimet e larta. Kam shumë dëshirë që të mësoj dhe të vazhdoj jetën në një vend tjetër dhe jo në një fshat si ky që nuk ka as shkollë, as rrugë dhe nuk i potëson kushtet për të jetuar”.

Shkolla ka edhe një drejtor dhe ai së bashku me mësuesin po përpiqen që të bëjnë atë që shteti nuk e ka bërë: të ndërtojnë një shkollë të re për nxënësit e fshatit.

Drejtori Donald Dërvishi shprehet: “Fillimet e para të kësaj ndërtese kanë qenë kur unë kam ardhur për inspektim në shkollën që Borsioni jepte mësim. Kushtet kanë qenë të tmerrshme. Prej asaj dite, bashkë më Borsionin vendosëm që të merrnim një nismë për të grumbulluar fonde për shkollën. Borsioni aplikoi tek 100-milionëshi ku më zgjodhi mua si partner. Tek 100 milionëshi dolëm me sukses, fituam 2.5 milionë dhe gjatë rrugës na u bashkuan shumë njerëz të tjerë të cilët me anë të ndihmës së tyre ne arritëm të kalonim shumën 10 milionë lekë”.

Donatorët më të shumtë janë të huaj dhe falë ndihmës së tyre shkolla e re nisi ndërtimin.

Shkolla e re do të ketë një klasë të madhe, korridor dhe tualet, të gjitha këto të mbuluara me çati. Në stinën e dimrit, shënimet e mësuesit në dërrasën e zezë tashmë nuk do të fshihen më, pasi shiu nuk do të lagë më dërrasën e zezë dhe shkumësin e gëlqeres.

Borsion Spaho tregon: “Ne shpresojmë që nëpërmjet kësaj shkolle të re nxënësit të kenë një nxitje për tu bërë dikushi në jetë”.

Top Channel