OKB jep alarmin për Venezuelën: Kriza e emigrantëve e ngjashme me atë të Mesdheut

Eksodi i emigrantëve nga Venezuela drejt fqinjëve territorialë po arrin një pikë krize, krahasuar me krizën e refugjatëve në Mesdhe, deklaroi Organizata e Kombeve të Bashkuara. Një numër gjithmonë e më i madh refugjatësh po largohet nga vendi që është në një krizë të paprecedentë ekonomike, në kufijtë e krizës humanitare. Javën që vjen zyrtarë të lartë të Ekuadorit, Kolumbisë dhe Perusë do të takohen në Bogota për ti dhënë një zgjidhje kësaj krize që tashmë është kthyer në rajonale. Edhe Brazili është një prej vendeve që është prekur më së shumti nga kriza.

Peruja është vendi që shtrëngoi rregullat së fundmi duke kërkuar pasaportë për emigrantët Venezuelianë, ndërkohë që Ekuadori njoftoi krijimin e një korridori humanitar për të lejuar kalimin e emigrantëve pa dokumenta. Agjencia për emigracionin në OKB deklaroi se, këto janë shenjat paralajmëruese të krizës. Agjencia kërkon mobilizim dhe fonde për të menaxhuar këto flukse migratore.

Pa menaxhimin në kohë të tyre, këto flukse do të dalin nga kontrolli. Situata, sipas OKB është thuajse e njëjtë me atë të Mesdheut pak vite më parë, krizë që vijon ende sot. Që prej vitit 2015, kur shpërtheu kriza në vend, 1.6 milionë venezuelianë janë larguar nga vendi i tyre.