Manastirliu: Brenda vitit përfundon rehabilitimi i 80 qendrave shëndetësore në gjithë vendin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale inspekton punimet në Qendrën Shëndetësore Nr 10 në Tiranë: “Investime në portën e parë të shërbimit për qytetarët. Këtë vit, rehabilitojmë 14 qendra në Qarkun e Tiranës, 80 në të gjithë Shqipërinë”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu ka inspektuar punimet në Qendrën Shëndetësore nr 10 në Tiranë. Manastirliu u shpreh se deri në fund të këtij viti do të përfundojë rikonstruksioni i 80 qendrave shëndetësore në të gjithë Shqipërinë, në kuadër të programit të qeverisë për rehabilitimin e 300 qendrave shëndetësore në 4 vite.

Gjatë inspektimit të punimeve Znj. Manastirliu theksoi rëndësinë që kanë këto qendra, si porta e parë e shërbimit ndaj qytetarëve.

“Qendra Nr. 10 që inspektojmë sot, e cila i është nënshtruar tashmë punimeve rehabilituese, ofron shërbime për rreth 80 000 banorë të qytetit të Tiranës. Por kjo qendër është vetëm njëra prej 80 qendrave shëndetësore në të gjithë Shqipërinë, të cilat pritet të përfundojnë së shpejti. Nëpërmjet investimeve të buxhetit të shtetit, ne do të përmirësojmë shërbimet që ofrojmë për qytetaret në porten e parë të shërbimit, që janë qendrat shëndetësore dhe pikat e ambulancave”.

Manastirliu u shpreh se vetëm në Qarkun e Tiranës po rehabilitohen 14 qendra, 9 prej të cilave në territorin e Bashkisë Tiranë.

“14 Qendra Shëndetësore do të jenë të rehabilituara në përfundim të këtij viti vetëm në qarkun e Tiranës, 9 qendra shëndetësorë në Bashkinë e Tiranës. Ka filluar rehabilitimi në qendrën shëndetësore nr 10, gjithashtu në një pikë të ambulancës së saj, në Qytetin e Nxënësve, në njësinë nr. 6, në Njësinë nr. 9, në qendrën shëndetësore nr 4. Gjithashtu dhe pikat e ambulancave të Kasharit, Ndroqit, Pezës të Madhe, do të jënë pjesë e projektit tonë të rehabilitimit të 80 qendrave shëndetësore, brenda vitit”. Ndërkohë, punimet kanë nisur tashmë në disa pika ambulancash në Bashkinë e Vorës, në Bashkinë e Kamzës, në Bashkinë e Kavajës dhe në Bashkinë e Rrogozhinës”.