Korrigjim kufijsh Kosovë-Serbi, Shehu: 4 pasoja fatale, Rama tradhti ndaj…

Flet për “Koha Jonë”, nënkryetari i Komisionit të Jashtëm: Katër pasoja fatale nga ideja e ndryshmit të kufijve Kosovë-Serbi

Intervistoi: Redjon Shtylla

“Hapja sot e këtij diskutimi të “ri”, që në fakt është një “kambanë e vjetër serbe” e tingëlluar tashti edhe nga shqiptarë, apo e mirë e “kënduar” sot nga bashkëkombës, mbart në vet vete edhe rrezikun e zerimit të gjithçkaje të arritur në këto 25 vite të mahnitshme për shqiptarët në rajon”,-kështu shprehet deputeti i PD-së dhe nënkryetari i Komisionit të Jashtëm, Tritan Shehu për idenë e “korrigjimit” të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Shehu thekson se ka katër pasoja kjo ide dhe që prek rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Nga ana tjetër, deputeti demokrat, lëshon akuzën e rëndë se qeveria po “tradhton” sërish politikën e Uashingtonit dhe se ishte ajo që e inicioi këtë teori. “Ishte Majko ai që e inicioi këtë “teori të kufijve” (duke ju referuar Kryeministrit), megjithëse për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, gjatë një “festë birre” në Kosovë”,-thotë Shehu. Nga ana tjetër, në emër të opozitës, Shehu i bën thirrje Qeverisë që të shprehet për këtë situatë, pasi në të kundërtën, “është bashkautore në këtë aventurë, ashtu siç po flasin disa “gojë të këqija” në Shqipëri e jashtë saj”.

Muajin e fundit ka jo pak debat mbi idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. A nënkupton kjo që Serbia duhet ta njohë Kosovën më parë? Ju jeni shprehur qartë disa herë se jeni kundër dhe a i qëndroni idesë suaj në një rast të tillë?

Së pari duhet të kuptojmë se dikush kërkon të luajë me termat. Në këtë rast quaje “korrigjim kufijsh”, shkëmbim territoresh, ndryshim kufijsh, a si të dëshironi, në thelb është e njëjta gjë.

Kërkohet të ri-bëhet kufiri midis atyre dy shteteve dhe këtu qartësisht nuk është fjala për “boshatisje” të piramidave por për ndryshime thelbësore të tij, së paku për të shkuar drejt një koncepti të tejkaluar në kohë e të rrezikshëm, tek ai i shtetit etnik. Në fakt edhe ndërtimi i shtetit të pavarur të Kosovës, u bazua pikërisht edhe mbi ide e aspirata krejt të kundërta nga ky. U bazua mbi një ndryshim të madh e progresiv vizioni i shteteve që mbas Luftës së dytë, për tu përfshirë nga cikli i ri i mendimit e veprimit demokratik e Europian, që përmbyllet me anëtarësimin edhe të  Ballkanit Perëndimor në BE.

Hapja sot e këtij diskutimi të “ri”, që në fakt është një “kambanë e vjetër serbe” e tingëlluar tashti edhe nga shqiptarë, apo e mirë e “kënduar” sot nga bashkëkombës, mbart në vet vete edhe rrezikun e zerimit të gjithçkaje të arritur në këto 25 vite të mahnitshme për shqiptarët në rajon, nga shqiptarët vetë si dhe nga aleatët tanë kryesore, SHBA e vendet kryesore të BE-së e NATO-s kjo. Nuk mund të ketë mesazh më të keq se ky në këtë vere nga ne vete! Pra çështja duhet shtuar ndryshe.

Hedhja e konceptit për ndryshimin e kufijve, ka hasur në kundërshtime nga BE dhe SHBA. Si mendoni, çfarë efektesh mund të ketë kjo ide në rajon, po në Shqipëri?

Kosova e shqiptarët, veçanërisht në këtë periudhë kur gjërat nuk janë siç ishin më 1999, e fillimi i 2000-shit ( kjo edhe për fajin tonë), duhet aktualisht të konsolidojnë atë çfarë kanë arritur, të punojnë ditë e natë për standardet europiane, afrimin me BE, me NATO-n, për ata që nuk janë anëtarësuar ende, të luftojnë e të përmirësojnë imazhin në botë, duke luftuar krimin e korrupsionin, të përqendrohen pra në rekomandimet e qarta që kanë përpara nga Brukseli.

Pa dyshim negociatat me Serbinë duhen vazhduar e shtyrë përpara duke u bazuar në këto kolona, duke pasur si objektiv njohjen reciproke e anëtarësimin e Kosovës në OKB, në një periudhë sa më të afërme brenda kufijve ekzistues. Pra kjo nuk do të thotë që ky qëllim i madh të përdoret me makiavelizëm si “justifikim” për tu futur me “këmbët e tua” në një labirint tejet të rrezikshëm për atë e Rajonin. Dua të flas qartë, kjo lojë jep disa pasoja negative për të gjithë:

Së pari hap lojën e Kosovës nga e para, në një moment jo të favorshëm, kur ajo është e mbyllur e duhet të qëndrojë ashtu në formën e përgjithshme të saj.

Së dyti i jep arsye, hapësirë e rol parësor Serbisë.

Së treti godet rëndë edhe miqtë tanë më të mirë për çfarë kanë bërë, duke i vendosur në pozita tejet të vështira. Ata i kanë deklaruar të qarta pozicionet e tyre. Znj. Merkel duhet falënderuar thellësisht për pozicionin e qartë e të prerë të saj e Gjermanisë. Britania e Franca gjithashtu kanë qenë të qarta në pozicionet e tyre. SHBA e ka theksuar disa herë që i qëndrojnë pozicionit të tyre të mëparshëm dhe dje e deklaruan se nuk do bëhen pjesë e një loje të tillë. Besoj se mjafton kjo.

Së katërti pa qartësi e zhvillimeve në këtë drejtim, me rrezikun e destabilitetit në Rajon i shkon për shtat palëve të tjera, që për interesa të tyre, reminishenca të vjetra, role që duan të marrin etj, pra jo vetëm për të rritur rolin e Serbisë, ata duan të pengojnë rrugën tonë europiane e atë drejt NATO-s. Mos të harrojmë se ne këtë pjesë të globit, së fundmi po ravizohen përsëri edhe disa aleanca e lidhje të ndeshura dhe në shekujt e kaluar, që kanë interesa diametralisht të kundërta me tonat. Pra ne duhet të jemi shumë të qartë, të kujdesshëm, të lidhur e bashkëpunues ngushtë me SHBA dhe me vendet kryesore të BE-së.

Një nga temat që është hapur me diskutimin e shkëmbimit të territorit, është se disa njerëz filluan të shprehin shqetësimin se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, nëse Kosova do që të bashkohet me Shqipërinë?

Asnjë mendje “normale” nuk ka folur për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën në këtë periudhë. Të gjitha këto “zhurma” janë provokative e tymnaja të rrezikshme, pikërisht nga ata që janë “mitra” e teorisë së tanishme të ndryshimit të kufijve, pavarësisht nga termat e përdorura, apo nga “mendje të lehta”. Duhet të kuptojmë diçka, kufijtë, nocionet shtet nacionale apo etnike, janë koncepte të tejkaluar apo në zbutje. Sot ne duhet të punojmë të gjithë në Rajonin tonë për ç’vlerësimin e kufijve nëpërmjet implementimit në vendet tona të standardeve, ligjeve, normave të BE. Nesër këto kufij do të “zhduken” duke u anëtarësuar në BE të gjithë ne. Kjo është e vetmja rrugë, që duhet të aspirojmë e për të cilën duhet të punojmë. Çdo opsion tjetër do të ishte i rrezikshëm, i errët e do të na kthente ndoshta shekuj mbrapa në kohë. Pikërisht kështu unë e shoh edhe procesin e “bashkimit” të Kosovës me Shqipërinë, pra si pjesë e një procesi të gjerë të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, ku kufijtë nuk do të “ekzistojmë” më nesër.

Diplomacia serbe mendon se Uashingtoni ka ndryshuar politikën dhe se SHBA është më e gatshme për propozimet e palës serbe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Mendoni se Uashingtoni e ka ndryshuar qëndrimin?

SHBA ngel partneri gjeostrategjik thelbësor për Shqipërinë e shqiptarët. Garancia më e madhe e vlerave, lirive, jo vetëm për në por në nivel rruzulli. Pa dyshim për neve ka lidhje e kohezion të veçantë, pa të cilat nuk do te arrinim çfarë arritëm në këto vite.

Nga ana tjetër është detyra jonë si shqiptarë të mos lejojmë asnjë qeveri tonën të “tradhtojë” Uashingtonin apo ta vërë atë në pozicione të vështira me “novitetet” tona, apo me devijime nga linjat e mëdha të tij për hapësira e zona të tjera larg nesh në glob, siç ka bërë disa herë qeveria shqiptare. Unë e kam thënë disa herë, në zona të tjera si Lindja e Mesme, e Largët, Irani, Rusia, Kina etj, ku ne nuk kemi interesa specifike e as mundësi roli aktiv, ne duhet të ndjekim ngushtësisht politikat amerikane.

Ndërsa në Ballkanin Perëndimor ne duhet të jemi aktorë, së bashku me partnerët tanë, ashtu siç kemi qenë në këto 25 vite, duke pasur rolin thelbësor midis vendeve të këtushme për stabilitetin e tij e rrugën europiane e drejt NATO-s. Fatkeqësisht për gabime trashanike të qeverisë sonë, ky rol tashmë është zbehur ndjeshëm, gjë që forcon pozitat ndërkombëtare të Serbisë e aleatëve të saj. Nuk më duket se kjo përkon edhe me interesat e vizionet e SHBA-së, BE e NATO-s, aq më pak me tonat si shqiptare.

Ju flisni për “tradhti” ndaj Uashingtonit?!

“Tradhti”? Quajeni si të doni. Por veçse besnikëri nuk ishin qëndrimet tona në dhjetor me votimin e rezolutave që godisnin pozicionet amerikane në OKB e Konferencën Islamike nga Shqipëria, apo më vonë në Gjenevë kur ne u “fshehëm”! Për të mos folur këtu për deklaratat aventureske të Ramës gjatë fushatës presidenciale në SHBA me fyerje ndaj Trump, për të ndërhyrë në procesin zgjedhor aty kjo. Pa dyshim asnjë nga këto nuk ka kaluar e nuk kalon pa lënë gjurmë e pa pasoja thellësisht negative për ne. Trump në dhjetor na hoqi nga lista e “vendeve miq” në OKB, mbas atyre votave tona, krejt në kundërshtim me interesat tona kombëtare ato. Unë këto e theksova që atëherë këtë dhe nuk mund të parashikoj se si do te ecin gjërat nesër, për aq kohë sa te ne drejton kjo qeveri. Një arsye e madhe kjo për ndryshime në Shqipëri.

Qeveria shqiptare nuk është prononcuar për çështjen e kufijve të Kosovës. Si e gjykoni këtë heshtje?

Është e vërtetë që nuk ka asnjë prononcim të qartë nga kjo qeveri për një çështje kaq të rëndësishme e që prek tërë Rajonin tonë. Aq më shumë që vende të tjera, partnerët tanë janë shprehur qartë negativisht. Po kështu edhe vende mbështetës të Serbisë si Rusia janë shprehur, pa dyshim në kahun tjetër. Serbia ka bërë deklaratat e saja dhe e ka avancuar shumë në opsionet e veta. Pra në këto situata, nuk ka asnjë kuptim heshtja nga ana e Qeverisë sonë.

Mos harrojmë se kjo qeveri edhe për çështje të tjera, shumë më pak të rëndësishme, edhe kur nuk duhej të interferonte, e ka bërë këtë si me Kosovën, Maqedoninë etj, duke krijuar dëme reale, ndoshta për të marrë protagonizëm! Tashti hesht, kur duhej e kundërta.

Aq më shumë që ishte Majko ai që e inicioi këtë “teori të kufijve” (duke ju referuar Kryeministrit), megjithëse për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, gjatë një “festë birre” në Kosovë. Më tej ai u përpoq “nëpër dhëmbë” ta mohoj si ide por pa asnjë qartësi. Sot lexoj në disa media afër Qeverisë, se Ministri Bushati “ndërmjet rreshtave do të nënkuptojë që është kundër ndryshimit të kufijve”.

Është koha të deklarojmë qartë qëndrimin tonë zyrtar “me rreshta”, me germa e me fjali të qarta këto. Ndryshe konfirmon se je bashkautor në këtë së paku aventurë, ashtu siç po flasin disa “gojë të këqija” në Shqipëri e jashtë saj.

Z.Shehu, ju jeni edhe N\Kryetar i komisionit të jashtëm të Kuvendit, si do të veproni me çeljen e sesionit të ri për këtë çështje?

Pa dyshim do përpiqem ta vendos në qendër të vëmendjes së Komisionit e Kuvendit. Ministri Bushati duhet të vijë me urgjencë në Komision e të shprehet qartë për këtë çështje madhore për pozicionet e tij e të Qeverisë. Më tej do të gjykohet për hapat e tjerë, pikërisht për involvimin e mëtejshëm të Komisionit dhe të Kuvendit në këtë çështje. Heshtja nuk ka më asnjë kuptim.