Kombi në dorë të Thaçit, kurse Thaçi në dorë të Aleksandër Vuçiç

-Projekti i Thaçit në mënyrën më amatore, të mos themi tradhtare, i shërben direkt Serbisë. Ndaj Thaçit i mungon jo vetëm ligjshmëria e Parlamentit dhe klasës politike të Kosovës, por edhe autoriteti moral i një politikani që të marrë vendime personale për gjithë kombin shqiptar. Nëse vendos parlamenti i Kosovës me shumicë dërmuese si dhe referendumi popullor në Kosovë për shkëmbime apo quaje “korigjim kufinjsh”, kjo mund të quhet e pranueshme ligjërisht, por prapë si komb duhet të vendosë edhe parlamenti dhe populli shqiptar në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Ideja e rishikimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë ka trazuar jo vetëm politikën rajonale, por edhe atë ndërkombëtare. Gjermania, Britania e Madhe dhe vende të tjera të Bashkimit Europian kanë dalë kundër këtij projekti që është hedhur për konsum publik nga presidenti kosovar Hashim Thaçi dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. Shkëmbimi i territoreve Kosovë-Serbi është cilësuar nga mjaft politikanë dhe analistë si ndezja e fitilit të konflikteve duke e kthyer edhe një herë Ballkanin në “fuçi baruti” për gjithë botën. Hapja e lojës në Kosovë u jep pretekst serbëve për të ndryshuar kufirin në Bosnjë, ndërkohë që efekti domino pason në Maqedoni, Mal të Zi, e pse jo edhe në Greqi si dhe në vende të tjera të rajonit. Në këtë lojë ku po luhet me territore të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të mos përfshihen. Dje, për herë të parë një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Donald Trump, Këshilltari për Sigurinë, John Bolton deklaroi se SHBA nuk do të përfshihen direkt në idenë e territoreve, “por nëse palët bien dakord nuk do të bëhemi pengesë për marrëveshjen”. Edhe pse ky nuk është qëndrim zyrtar i Shtëpisë së Bardhë dhe as i Departamentit Amerikan të Shtetit, Kongresit apo Senatit të SHBA, deklarata e Këshilltarit të Sigurisë është një sinjal që diplomacia e Shqipërisë, dhe ajo e Kosovës të vihen urgjent në lëvizje. Nga ajo që deklaron John Bolton, që për hir të së vërtetës nuk renditet në radhët e diplomatëve amerikanë që ka qenë pro pavarësisë së Kosovës, duket se marrëveshja është lënë në dorë të Kosovës dhe Serbisë. Më saktë, në dorë të dy njerëzve, presidentit Hashim Thaçi dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Parimi që po ndiqet në këtë rast është që dy palët të diskutojnë pa vija të kuqe, pra për çdo gjë, dhe nëse arrijnë një marrëveshje atëherë çështja Kosovë-Serbi është e zgjidhur. Dhe nga kjo liri veprimi, Thaçi dhe Vuçiç kanë hapur në tavolinë të gjithë letrat, duke nisur nga “korrigjimi i kufijve” e deri të shkëmbimi i territoreve.

Në këto negociata të paktën për shqiptarët e Kosovës ka një problem thelbësor. Sipas Kushtetutës së Kosovës, në bisedimet me Serbinë askush prej politikanëve që marrin pjesë, qoftë ky dhe Presidenti i Republikës, nuk ka të drejtë të diskutojë për integritetin e territorit. Që në këtë pikë Hashim Thaçi ka shkelur Kushtetutën. Kuvendi i Kosovës nuk i ka dhënë mandat ligjor për të bërë “pazare” me kufijtë. Ndërkohë Thaçi deklaron se mezi pret të takohet me Aleksandër Vuçiç për të diskutuar për idenë e “korrigjimit të kufijve.

Tjetër problem është se ideja e korrigjimit të kufijve nuk është një projekt që ka qenë pjesë e politikës dhe diplomacisë së Kosovës dhe as linjë e shtetit shqiptar. Nisma e Thaçit indirekt dhe direkt nuk përfshin vetëm Kosovën, por gjithë kombin shqiptar. Ajo që ka në mendje Vuçiç dhe Thaçi e shpjeguar thjeshtë do të thotë; Kosova merr disa fshatra në Luginën e Preshevës dhe Serbia merr pjesën me vitale të Kosovës. E gjitha kjo, sepse Serbia nuk pranon dot që rreth 50 mijë serbë të qeverisen nga shteti i Kosovës. Në fakt, kjo është vetëm një pjesë e lojës së Beogradit për Serbinë e Madhe. Po nëse kjo logjikë vihet në zbatim për 50 mijë serbë, çfarë duhet të thonë gati një milionë shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, apo qindra mijë të tjerët në Mal të Zi?? Projekti i Thaçit në mënyrën më amatore, të mos themi tradhtare, i shërben direkt Serbisë. Ndaj Thaçit i mungon jo vetëm ligjshmëria e Kuvendit dhe klasës politike të Kosovës, por edhe autoriteti moral i një politikani që të marrë vendime personale për gjithë kombin shqiptar. Nëse vendos parlamenti i Kosovës me shumicë dërmuese si dhe referendum popullor në Kosovë për shkëmbime apo quaje “korigjim kufinjsh”, kjo mund të quhet e pranueshme ligjërisht, por prapë si komb duhet të vendosë edhe parlamenti dhe populli shqiptar në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Çdo pjesë tokë kosovare është shqiptare dhe kombi mund të ketë të drejtën të vendosë për korigjimin apo jo. Flasim për situatë normale e bisedimesh, pasi kur ka luftë vendosë pushka. Kësisoj Presidenti Thaçi bën gabimin me të madh të jetës së tij të vendos vetë. Kryeministri i Kosovës, Haradinaj ka deklaruar se nuk ka asnjeri të drejtë, as Thaçi, të vendos për ndryshim kufinjsh.

Një pjesë e ndërkombëtarëve e kanë lënë gjetjen e një pakti mes Serbisë dhe Kosovës në dorë të Thaçit. Por me qëndrimet që ka mbajtur dhe me lojën  që po zhvillohen në kulisa, Thaçi duket se është në dorë të Aleksandër Vuçiç. Kanë të njëjtat ide për zgjidhjen e problemit dhe po sillen në të njëjtën mënyrë. Serbia e ka humbur Kosovën me kohë dhe nëse në tavolinën e bisedimeve Thaçi lëshon territor, kjo do ishte fitorja më e madhe e serbëve. Ndërsa për shqiptarët do ishte dyfish dështim, pasi fituam në luftë dhe humbëm në paqe.