Italia po kërcënon BE-në

Italia po paralajmëron se mund të ndërpresë fondet për Bashkimin Evropian, nëse shtetet e tjera nuk i marrin migrantët që janë bllokuar në një anije që ka ankoruar në një port të Sicilisë, komento këto që Brukseli i cilëson si “kërcënime”.

Të dërguarit nga shtetet e BE-së, që janë takuar në Bruksel më 24 gusht, kanë dështuar që të arrijnë një marrëveshje për ndarjen e përgjegjësisë për 150 migrantët që gjenden në bordin e anijes Diciotti, një anije e rojës bregdetare italiane, që ka ankoruar në Katania më 20 gusht.

“Ne jemi të gatshëm të ndërpresim fondet që i japim Bashkimit Evropian”, nëse blloku “nuk merr përsipër problemin, të cilin nuk mund ta zgjidhim vetë”, tha zëvendëskryeministri italian Luigi di Maio.

Mbi 650 mijë migrantë, shumica nga Afrika dhe Lindja e Mesme kanë kaluar Detin Mesdhe për në Itali që prej vitit 2014 dhe Qeveria e re në Romë thotë se është zgjedhur pikërisht për të ndalur rrjedhën e migrantëve. Gjithashtu, Qeveria italiane thotë se nuk do të lejojë asnjë anije të ndihmës të zbarkojë pasagjerët e saj, nëse shtetet evropiane nuk pajtohen që t’i marrin dhe t’i strehojnë këta persona.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se zgjidhja e çështjes së anijes Diciotti është “prioritet”, por “komentet jokonstruktive, lëre më kërcënimet… nuk do të na çojnë drejt zgjidhjes”. /Radio Europa e Lirë/