HYJNIA E HUMORIT

Nga Pellumb Kulla/

Një mbrëmje, babai u kthye nga puna dhe e kuptoi se dhe atë natë, nuk do të kishte bukë për fëmijët e tij. Por ne, tashmë, ishim mësuar…
Më kujtohet sa shumë vuanin prindërit të na ushqenin ne fëmijëve, aty nga fillimet e viteve ‘50. E megjithë përpjekjet e tyre, shpesh ne flinim pa darkë. Na zinte gjumi duke dëgjuar një radio të vjetër Orion, ku ndiqnim emisionet muzikore të Radio Tiranës.
Babai na gjeti ne fëmijëve duke parë mamanë, që ashtu tek po fshinte, pat lënë fshesën dhe pat ngritur volumin e radios: në të po jepej një valle me motive të fushës së Korçës. Eh, ajo linte çdo gjë para tyre! Kur ishte e re, në fshat e mbanin në gojë të tërë, për hirin me të cilin hiqte vallet dhe tundte shaminë. Dhe tani, ajo kish rrëmbyer një nga ato kapset prej lecke që shërbejnë për të nxjerrë nga soba tepsitë përvëluese dhe nuk e la vallen as kur erdhi babai. Ama, i qeshi babait në vend të përshëndetjes.
Babai hodhi shikimin nga ne. Ne po sodisnim.
“Presim të mbarojë vallja!” ia bëri babai.
Pastaj, atij vallja iu duk e gjatë dhe e pyeti mamanë që vallzonte:
“Bëre gjë, për ato porositë?
Mamaja pa e lënë vallzimin, nisi t’i raportonte të shoqit duke u përkulur hera-herës, për të respektuar me besnikëri koreografinë e valles.
“Nuk bleva asgjë se… Atë velenxen me thekë, nuk e shita dot!… Vangja nuk më dha borxh, se nuk kishte…. Ajo vetë… do të kërkonte borxh diku… E do të më jepte mua gjysmat e parave… Nuk i kanë dhënë, me sa duket… Prit, se këtu vallja e ka me të rrotulluar… Ashtu!.. Darkë … as sonte… nuk ka! Pam Pam!.. Sa valle e bukur që është, e shkreta!” përfundoi me një psherëtimë admirimi mamaja dhe iu kthye përsëri fshesës.
Babai vështroi nga ne. Ne vetëm qeshnim. Unë, që isha më i rrituri, u ngrita i pari dhe fillova të imitoja mamanë duke vallëzuar me qejf e duke perseritur raportimin ndaj babait, me tërë ashkun e kënaqësisë së valles:
“Hopa!… Drekë nuk kishim! Hopa! Darkë nuk kemi!.. Rroga jote nuk na del… Nuk na del e nuk na ngel! Eh, hopa!… Tani e kemi me të rrotulluar!.. Tra-ta-ta, e bukë nuk ka!.. Sa valle e bukur, tra-la-la!…”
Babai dhe mamaja qeshnin me vallen time. Imitimi ishte i ngopur me tepërime dhe po na dilte një copë komike e rallë. Ata më të vegjëlit, të zilepsur me suksesin që po korrja unë, me sytë që u ndrisnin, u ngritën edhe nën shëmbullin tim sejcili imitonte mamanë sipas qejfit të vet, megjithëse nuk mbanin dot mend as fjalët. Dhe të gjithë ne fëmijët po kërcenim:
“Drekë nuk kishim e darkë nuk kemi … Eh hopa!”
Ato çaste në mes tonë kishte zbritur Hyjnia e humorit. Oh, sa kemi qeshur atë natë! Oh ç’vizitore fantastike kemi patur ne atë mbrëmje! Si gjatë gjithë atij muaji, ne përsëri fjetëm pa ngrënë, por në ndryshim nga netët e tjera, kemi qeshur aq shumë, sa edhe sot pas kaqë dekadash, e mbajmë mend atë, si një nga mbrëmjet më të këndëshme të fëmijërisë sonë!…