Dueli i 8 shtatorit, Gjetan Keta me kundërshtar të ri, Sladan Janjanin

Gjetan Keta do të zbresë në ring më datë 8 shtator dhe do ta bëjë në Dibër të Madhe, duke u dhënë mundësinë të gjithë shqiptarëve ta mbështesin nga pranë atë që me të drejtë cilësohet si një ndër boksierët më të aftë në të gjithë historinë e këtij sporti në vendin tonë. Deri këtu nuk ka asgjë të re, por nuk është e thënë që Keta të sfidojë kundërshtarin e parashikuar sipas marrëveshjes paraprake.

Ashtu si ndodhi në vitin 2016 kur “Iron Mike”-ut shqiptar iu desh të riadaptohej, pasi turku Ozeler u tërhoq dhe në vendin tonë mbërriti bashkatdhetari i tij, Turgay Uzun. Edhe kësaj here 35-vjeçari do të duhet të rindërtojë strategjinë, pasi meksikani Paul Venezuela Junior ka pësuar një aksident dhe për rrjedhojë vetëm 2 javë përpara duelit ka njoftuar se nuk do të zbresë në ring. Në këtë mënyrë organizatorët arritën që në kohë rekord të përcaktonin kundërshtarin, i cili do të jetë boshnjaku Sladan Janjanin. Numrat e 27-vjeçarit janë vërtet për t’u respektuar: 25 fitore, 19 prej të cilave me “knockout”, dhe vetëm 3 humbje.

Ky superduel do të jetë mjaft i rëndësishëm, pasi do të vendosë se cili nga të dy do të jetë kampioni i botës në federatën WBU. Përgatitjet e Ketës për sfidën në fjalë kanë vijuar me intensitet të lartë dhe triumfi është i vetmi objektiv për Luftëtarin nga Bulqiza. Ndërkohë që në po të njëjtën ditë do të ngjitet në ring një tjetër sportist me cilësi të veçanta. Ferit Keta do të përballet me turkun Fatih Mehmet Karakus. Ky i fundit ka një rekord për t’u admiruar prej 10 fitoresh dhe asnjë disfate, gjithsesi kjo nuk e tremb aspak boksierin kuqezi.