Vasili: Kryeministrin italian e kërcënojnë bandat, Ramës i buzëqeshin

Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka bërë sot një paralelizëm të luftës kundër krimit të organizuar në Itali dhe në Shqipëri.

Vasili i referohet aksionit që ka nisur ministri i Brendshëm i Italisë, Mateo Salvini, i cili në pak javë ka goditur disa organizata mafioze dhe kriminale. Për pasojë, organizatat mafioze kanë kërcënuar me jetë ministrin italian, ndërsa kanë nisur dhe sulmet ndaj familjarëve të tij. Në zonat që kontrollohen nga mafia italiane nuk kanë munguar dhe mbishkrimet dhe parrullat në mure: “Vdekje Salvinit”.

Një nga aksionet që opinioni në Itali po mbështet më shumë është ai i arrestimit të krerëve të organizatave mafioze dhe sekuestrimi i pasurive të tyre. Vetëm pak ditë më parë, vila e një mafiozi të njohur në Jug të Italisë, me nismën e vet Salvinit u kthyer në një qendër sociale për të moshuarit.

Duke u ndalur te zhvillimet në Itali, Vasili bënë krahasimin me kryeministrin Edi Rama. Sipas tij, në Shqipëri bandat i buzëqeshin Edi Ramës dhe qeveria shqiptare edhe pse i di 40 grupet kriminale nuk i godet.

“Duke i goditur në zemër bandat Salvini, ai po përballet edhe me kërcënimet me vdekje prej tyre. Ndërsa kryeministri i Shqipërisë bashkëjeton me 40 banda kriminale të deklaruara nga ai vetë. Këto banda i buzëqeshin kryeministrit dhe ai ju buzëqesh atyre se kanë shumë gjëra të përbashkëta mes vedi”,- shkruan Petrit Vasili.

Deklarata e Petrit Vasilit:

“Salvinin e kërcënojnë me vdekje bandat, ndërsa kryeministrit tonë i buzëqeshin. Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini hapi një front lufte të pamëshirshme ndaj krimit të organizuar, bandave, trafikantëve të drogës dhe të qenieve njerëzore në Itali.

Rezultatet e tij brenda pak javëve kanë qenë të jashtëzakonshme dhe mbështetja e qytetarëve italianë për të rritet në mënyrë spektakolare, ndërsa shqetësimi i bandave të kriminelëve më i madh se kurrë.

Duke i goditur në zemër bandat Salvini, ai po përballet edhe me kërcënimet me vdekje prej tyre.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë bashkëjeton me 40 banda kriminale të deklaruara nga ai vetë. Këto banda i buzëqeshin kryeministrit dhe ai ju buzëqesh atyre se kanë shumë gjëra të përbashkëta mes vedi.

Kryeministri ka frikë edhe të flasë e jo më ti godasë bandat. Kryeministri, që bën llafazanin, arrogantin, gojëpisin dhe që kakaris si gjeli në pleh, kur vjen fjala te bandat rri si pulë e hutuar. Kuptohet ka frikë.

Megjithëse Departamenti Amerikan i Shtetit dhe CIA flasin qarte për krimin e organizuar, pastrimin dhe parave të pista i vetmi që nuk flet, nuk lëviz gishtin, nuk vepron është vetëm ai, kryeministri”.

“Vdekje Salvinit”. Parrulla në Itali kundër ministrit Mateo Salvini