Presidenti Meta në Sarandë me “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte sot në qytetin e Sarandës, në kuadër të nismës që ka ndërmarrë “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”.

Kreu i Shtetit së bashku me Kryebashkiaken e Sarandës, Florjana Koka ishin të pranishëm në seancën e dhurimit të gjakut nga punonjës të administratës vendore, qytetarë të shumtë sarandiotë, të rinj e të reja, mes të cilëve shumë turistë shqiptarë të cilët po kalojnë pushimet verore në qytetin jugor.  Presidenti Meta falënderoi Kryetaren e Bashkisë, zonjën Koka, e cila bashkarisht me qytetarët sarandiotë, iu përgjigjën me dëshirë dhe vullnetarizëm thirrjes dhe apelit konkret të kreut të shtetit dhe të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”.

“Saranda është një nga ato qytete ku problematika është serioze sa i takon përqindjes së banorëve me talasemi. Apeloj që ky proces cilësor i dhurimit vullnetar të gjakut, i nisur sot, të vazhdojë. Bashkëpunimi mes të gjitha palëve për informimin e qytetarëve e të rinjve, sidomos që fëmijë, është shumë i rëndësishëm, që të merren masa parandaluese për të stabilizuar të gjitha parametrat dhe për të pasur këtë problematikë nën kontroll.”, – u shpreh Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit nënvizoi se: “Qëllimi kryesor i Aleancës është që në vitin 2020 ne të arrijmë atë objektiv të vendosur edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që dhurimi i gjakut të jetë një proces tërësisht i garantuar në mënyrë vullnetare, i stabilizuar e afatgjatë. Ju faleminderit të gjithë qytetarëve të Sarandës që iu përgjigjen pozitivisht thirrjes së Aleancës dhe po marrin sot pjesë në këtë seancë dhurimi gjaku! Jam i sigurt që kjo fushatë ndërgjegjësimi për këtë kauzë jashtëzakonisht humane do të vijohet edhe në të ardhmen për të përmbushur qëllimin e saj fisnik dhe qytetar!”.